Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 13:56

Para disa vitesh, zyrtarët e Samsung-ut deklaruan se kompania do të limitojë numrin e modeleve të telefonave inteligjentë që do të hedhë në treg çdo vit. Por deri tani ka ndodhur krejt e kundërta, pasi gjiganti koreano-jugor ka nxjerrë në treg telefona inteligjentë të serive të ndryshme, duke i bërë dhe njerëzit konfuzë se cili telefon është më i mirë.

Kompania tani do të krijojë dy telefona të rinj inteligjentë të serisë Galaxy O. Burime të afërta me kompaninë bëjnë të ditur se Samsung do të hedhë në treg së shpejti një seri të re telefonash inteligjentë. Për momentin nuk janë zbuluar shumë informacione në lidhje me seritë Galaxy O, përveç faktit që kompania do të debutojë dy telefona inteligjentë të kësaj serie.

Telefonat inteligjentë, të cilët kanë aktualisht modelet me numër SM-G550 dhe SM-G600, do të emërtohen Galaxy O5 dhe Galaxy O7. Galaxy O5 thuhet se do të ketë ekran 5 inç, ndërsa Galaxy O7 do të ketë ekran 5.5 inç.

Mbetet për t’u parë se çfarë veçorish do të kenë këto pajisje dhe në cilin grup do të bëjnë pjesë. Deri tani Samsung ka krijuar pajisje të llojeve të ndryshme me çmime që fillojnë nga 100 dollarë deri në 700-800 dollarë. Seritë Galaxy J dhe E janë pajisje me parametra mesatarë, seritë Galaxy A janë pajisje prej metali, ndërsa seritë Galaxy S dhe Galaxy Note bëjnë pjesë tek segmenti i pajisjeve të cilësisë së lartë në treg./krokodili