Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 13:50

Tiranë- Bujqësia, një nga sektorët kryesor të ekonomisë shqiptare, që kontribuon me rreth 20% në Prodhimin e Brendshëm Bruto është projektuar në politikat e qeverisë, si degë prioritare që do të mbështetet drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, në një prononcim, duke evidentuar faktin se, familjet rurale vazhdojnë të mbizotërojnë me mbi 50% të popullsisë dhe bujqësia përbën alternativën kryesore të punësimit të njerëzve në zonat rurale, konfirmon se rritja mesatare reale në bujqësi gjatë pesë viteve ka ardhur në rritje.

Megjithëse një sektor me probleme, ministri Ruli thekson se, po punohet për të stimuluar rikthimin e interesit të fermerit për bujqësinë. Mbështetur në statistika, sipërfaqja e tokës bujqësore zë rreth 24% (ose rreth 699 mijë hektarë) të sipërfaqes së përgjithshme të vendit, nga e cila vetëm rreth 561 mijë hektarë janë tokë arë.

Tashmë, thotë kreu i Bujqësisë, ndarja e tokës ka arritur në 561 mijë hektarë, që përben 98.6% të fondit të tokës dhe vetëm rreth 15 mijë hektarë tokë bujqësore që përdoret (shfrytëzohet) nga familje bujqësore janë pa tapi.

Në këndvështrimin e ekspertit, Ruli vlerëson se parcelizimi i tokës bujqësore sjell një sërë vështirësish për prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore, dhe ka bërë që përdorimi në shkallë të gjerë i mekanikës bujqësore të jetë i vështirë. Në këto kushte, bujqësia mbetet akoma mjaft e orientuar drejt plotësimit të nevojave të familjeve fermere. Ndonëse në treg dalin mbi 90% e fermerëve, vetëm 50% e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale janë të destinuara për treg.

Gjithësesi, theksoi Ruli, vihet re kristalizimi i disa poleve të zhvillimit bujqësor, siç janë qarku i Korçës, Beratit dhe Dibrës për pemëtarinë, Elbasani, Shkodra, Dibra dhe Vlora për të imtat, Fieri Tirana dhe Durrësi për perimet, Fieri, Berati, dhe Vlora për rrushin, etj., të cilat flasin për hapa të rëndësishëm në specializimin rajonal në prodhimin e produkteve të ndryshme bujqësore. “Por prodhimin bujqësor vendas, mbetet ende nën potencialet dhe kapacitetet e saj”, thotë ai.