Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 19:00

Tiranë- Instituti i Statistikave bëri dje të ditur se ekonomia shqiptare në tremujorin e tretë 2011 u rrit me 2.6%.

Edhe ky rezultat konfirmoi ritme më të ulëta të rritjes ekonomike krahasuar me vitet e mëparshme, megjithatë ekspertët mendojnë që këto shifra duhen vlerësuar pozitivisht, duke pasur parasysh mjedisin e pavaforshëm ekonomik botëror.

Arjan Kadare mendon se Shqipëria po shkon drejt një rritje vjetore pranë nivelit 3%, ndërkohë që nënvizon impaktin e rëndësishëm të prodhimit energjitik në ngadalësimin e ekonomisë.

Ndërsa Adrian Civici shprehet se kontribut të rëndësishëm dhanë faktorët sezonalë, por edhe një përmirësim i ndjeshëm në ecurinë e sektorëve në vështirësi, si ndërtimi. Instat publikoi disa shifra të rishikuara për rritjen ekonomike. Pas rivlerësimeve të kryera, Instat uli ndjeshëm vlerën e Prodhimit Kombëtar për vitin 2010, çka bëri që prodhimi gjatë vitit 2011 të rezultojë me ritme rritjeje më të larta, nga sa ishte vlerësuar paraprakisht.

Kështu, për 9-mujorin e vitit 2011 rezulton që ekonomia u rrit me 2.7%, nga 2% që kishte qënë rritja ekonomike për të njëjtën periudhë të vitit 2010. Pra, përmes këtyre llogarive sot po kuptojmë se rritja e vitit 2010 ka qënë më e ulët se ajo që Instat na pati servirur. Kjo shton akoma më shumë skepticizmin rreth besueshmërisë së shifrave të Instat.

Një diferencë kaq e madhe krijon dyshime se, ose shifrat e vitit 2010 ishin fryrë qëllimisht për të paraqitur një rritje ekonomike më të lartë se ç’ishte në realitet, ose sot ato shifra po “shfryhen”, që viti 2011 të tregojë shumë shumë rritje se ç’ka pasur në realitet.