Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 14:37

 

Viti 2012 ka nisur me një dinamikë në rritje të kreditimit të biznesit. Sipas Bankës së Shqipërisë, për dy muajt e parë të vitit kredia e re për bizneset kishte vlerën e 33.4  miliardë lekëve, me një rritje prej 14.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ashtu siç ishte e pritshme, bizneset kanë rritur kredinë për overdraft dhe kapital qarkullues. Kredia në këtë segment u rrit me afro 30%, çka reflekton nevojat për likuiditet. Ndërkohë, kredia e re për investime për investime ka rënë me rreth 6.4%. Kjo ecuri konfirmon edhe parashikimet e vrojtimit të besimit të biznesit, ku shumica e sipërmarrësve deklaronin se nuk do të kryenin investime të reja, për shkak se kapacitete e pashfrytëzuara po rezultojnë në rritje.

Ndarja sektoriale e kredisë në pamje të parë ju përgjigjet prirjeve të rritjes ekonomike, ku tregtia ka regjistruar zgjerim shumë të lartë, ndërsa industria ka përfituar më pak kredi krahasuar me vitin e kaluar. Kredia e re për tregtinë preku vlerën e 17.4 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 94%. Ndërkohë, degët e industrisë pësuan tkurrje të portofolit të kredive të reja. Kredia për industrinë përpunuese ra me 24%, kredia për industrinë nxjerrëse ra me 60% dhe kredia për ndërtimin u ul me afro 10%.

 

Të dhënat e rritjes ekonomike treguan se në tremujorin e fundit të vitit 2011 Tregtia shënoi rritje me afro 9%, ndërkohë që industria pësoi rënie të prodhimit me rreth 8%.