Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 12:42

Tiranë – Tregtia e bizneseve shqiptare me tregjet e Kosovës ka ardhur në rritje së fundi, gjë që reflektohet në rritjen e shkëmbimeve tregtare, ku ndikim dha dhe embargoja e Kosovës me Serbinë.

Vetë bizneset shqiptare dhe kosovare po kërkojnë unifikimin e tregjeve, përmes politikave fiskale dhe legjislacionit të përbashkët.

Sipas INSTAT, sivjet vendi ynë po eksporton rreth 50% më shumë mallra në Kosovë. Nëse në muajin prill para embargos, eksportet shqiptare arrinin në vlerën 1 miliard lekë, në muajin gusht kapën vlerën 1.6 miliard lekë.

Eksportet shqiptare përfshijnë kryesisht lëndë ndërtimi dhe karburante, ndërsa mallrat e konsumit të përditshëm shkëmbehen thuajse njësoj mes dy palëve.

Sipas të dhënave nga INSTAT-i në 8-mujorin e parë, volumi tregtar mes dy vendeve arriti në 11,789 milionë lekë. Eksportet shqiptare drejt Kosovës arritën në 8,738 milionë lekë. Me të njëjtin ritëm rritje janë shoqëruar edhe importet nga Kosova. Vlera e produkteve të importuara arriti në 3.051 milionë lekë.

Gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2010, vlera e eksporteve arriti në 6,390 milionë lekë, ndërsa e importeve 2,427 milionë lekë.

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë e Kosovës, sipas biznesmenëve janë shtuar edhe nga nënshkrimi i marrëveshjes për tregtinë e lirë dhe heqjen e taksës së dyfishtë.