Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 20:00

Epoka e sigurimit të lirë të makinës duket të ketë përfunduar. Pas liberalizimit në mesin e vitit të kaluar, kompanitë e sigurimeve hynë në një garë të ethshme për të shitur sa më shumë, duke ulur çmimet deri në 40%. Por në fillimin e këtij viti, çmimet e policave për sigurimin e detyrueshëm motorik, që mbulon përgjegjësitë ndaj palëve të treta, janë rritur me afro tre herë.

Sot sigurimi vjetor i një mjeti deri në 1600 kubikë kushton 14 mijë lekë, ndërsa për mjete mbi 1600 kubikë tarifa është rreth 14,600 lekë. Në fakt, ishte parashikuar nga kompanitë dhe nga ekspertët që ulja e çmimeve do të ishte e përkohshme. Sigurimi i makinave nuk mund të financohej me prime që zbritën deri në 4,500 lekë dhe ndjekja e një politike të tillë çmimesh do të kishte pasoja të rënda si për kompanitë, ashtu edhe për klientët, që nuk do të zhdëmtoheshin dot në masën e duhur. Çështja shtrohet cila ka qënë arsyeja që kompanitë e sigurimeve i rritën çmimet në mënyrë të menjëhershme me gati 3 herë.

Drejtues të kompanive u shprehën se rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të presionit të ushtruar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF. Me çmimet e ulëta të vitit të kaluar, kompanitë nuk mund të mbulonin shpenzimet për dëmet, shpenzimet administrative dhe nuk mund të krijonin rezervat e detyrueshme teknike. Kompanitë shprehen se AMF ju ka bërë të ditur që, sipas formulave teknike përkatëse, sigurimi i detyrueshëm motorik nuk mund të ishte më i ulët se 10,800 lekë.

Në fund të vitit të kaluar, AMF miratoi një rregullore të re që parashikonte mbikëqyrjen me bazë rreziku dhe mundësinë që Autoriteti të ndërhynte në çdo rast që vlerësonte rreziqe të shtuara apo shkelje të parametrave të detyrueshëm. Duket se kjo metodologji e re e mbikëqyrjes ka pasur një efekt të shpejtë në tarifat e sigurimit motorik. Megjithatë, rritja e menjëhershme e tarifave, që, veç të tjerash, është e njëjtë për të gjitha kompanitë, krijon dyshime edhe për një marrëveshje të fshehtë mes kompanive.

Edhe po të pranojmë se AMF ka ushtruar presion për respektimin e parametrave financiarë, kjo nuk shpjegon faktin që të gjitha kompanitë kanë vendosur të njëjtin çmim, që është ndjeshëm më i lartë se çmimi i supozuar dysheme. Nuk do të ishte hera e parë që kompanitë e sigurimeve bëjnë marrëveshje për përcaktimin e çmimeve. Një gjë e tillë u verifikua edhe në vitin 2006, kur ato vendosën që polica e sigurimit të detyrueshëm motorrik të shitej në një sportel të vetëm, të përbashkët.

Të ardhurat ndaheshin mes kompanive, sipas pjesës së tregut që zotëronin në atë moment. Në atë kohë, çmimi i policave ishte i përcaktuar me ligj dhe, në teori, kompanitë nuk mund të konkurronin me çmime. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës e vlerësoi marrëveshjen e siguruesve si të kundraligjshme dhe urdhëroi ndërprerjen e saj, me argumentimin se paralizonte konkurrencën në treg.