Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 08:03

Tiranë – Një projekt pilot, i cili u drejtohet 255 shtetasve shqiptarë, që parashikon kurse falas për formimin gjuhësor dhe profesional, që kanë si qëllim punësimin në Itali të të paktën 50% të pjesëmarrësve në kurse, në sektorë të ndryshëm, u prezantua dje nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, Drejtori i Përgjithshëm i Imigracionit në Ministrinë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, Natale Forlani, si edhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani.

Ksera tha se sot “konstatojmë me kënaqësi se emigrantët shqiptarë nuk janë më ilegalët e diskriminuar, por punëtorë dinjitozë në tregjet evropiane, promotorë të integrimit dhe zhvillimit si edhe ura të bashkëpunimit, partneritetit dhe miqësisë me popujt evropianë, në radhë të parë me popujt fqinjë, italianë dhe grekë”.

“Ne promovojmë zbatimin e projektit të parë, nga i cili do të përfitojnë menjëherë 255 shtetas shqiptarë, të cilët do të trajnohen intensivisht nga entet italiane në kurse falas për formimin gjuhësor dhe profesional. Pas përfundimit të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikata aftësie në profesione të ndryshme, të cilat njihen në tregun evropian të punës. 50% e të trajnuarve do të përthithen menjëherë nga tregu italian i punës”, tha Ksera.

Ai ftoi të gjithë të interesuarit që, duke filluar nga dita e nesërme, deri në datën 10 prill 2012, të paraqiten pranë Sporteleve të Migracionit në 12 Zyra Rajonale të Punës në të gjithë vendin, ku do të marrin edhe informacionin dhe shërbimin përkatës për plotësimin e formularit të aplikimit.

Duke e cilësuar këtë nismë si hapin e parë në zbatim të Marrëveshjes, Ksera tha se “bashkëpunimi në këtë kontekst, por edhe në fushat dhe sektorët e tjerë, dëshmon se qeveria dhe institucionet shqiptare janë partnerë të denjë, të besueshëm dhe të barabartë të qeverive, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare”.

-Në çfarë konsiston kjo nismë dhe çfarë pritet të sjellë për shtetasit shqiptarë?
Më pak se një vit më parë, më 19 Korrik 2011, ministri Ksera, me homologun italian, nënshkruan  Memorandumin e Mirëkuptimit, në kuadrin e Marrëveshjes së Emigrimit për Punësim, e cila synon të nxisë emigrimin e rregullt për motive pune të shtetasve shqiptarë në Itali.
     Në zbatim të Marrëveshjes, për të mbështetur menaxhimin e koordinuar dhe efikas të flukseve migratore dhe për të lehtësuar bashkëpunimin, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale të Italisë tashmë ka ngritur Zyrën e Koordinimit Vendor në Shqipëri, e cila vepron në bashkëpunim me Përfaqësinë Diplomatike Italiane dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.

Zyra lehtëson shkëmbimin e informacionit, duke nxitur bashkimin e kërkesës me ofertën për punë ndërmjet tregjeve të të dy vendeve tona. Kjo zyrë është një mbështetje e fuqishme për operatorët publikë dhe privatë që operojnë në tregun italian dhe shqiptar e punës.

Pikërisht në sajë të kësaj marrëveshje, u prezantua ditën e hënë dhe projekti i parë, i cili i mundëson shtetasve shqiptarë që duan të kandidohen për të punuar rregullisht në Itali, t’u drejtohen Sporteleve të Migracionit që ndodhen pranë Zyrave Rajonale të Punësimit për të regjistruar kandidaturën e tyre në listat e disponueshmërisë, sipas mënyrave që janë parashikuar nga marrëveshja.