Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 15:25

Tiranë – Interesat e Bonove të Thesarit rriten më tej. Në ankandin e zhvilluar këtë javë, norma mesatare e ponderuar e interesit për Bonot me afat maturimi 12 mujor arriti në 7.41%, nga 7.35% që ishte në ankandin paraardhës.

Në ankand u emetuan bono në vlerën e 7.5 miliard lekëve dhe oferta për financim ishte mjaft e lartë, po të kemi parasysh se u paraqitën 31 oferta me vlerë totale 9.1 miliard lekë.

Megjithatë interesat vazhdojnë të rriten, çka tregon se rritja e normës bazë të interesit e ka përcjellë menjëherë efektin e saj në tregun e Bonove, siç ka ndodhur historikisht në vitet e fundit.

Rritja e interesave të bonove sjell edhe shtrenjtimin e kredive afatgjata në lekë, që llogariten mbi bazën e interesit të bonove plus një interes fiks. Rritje shënuan edhe interesat e Bonove me afat maturimi 6 mujor, që arritën në 6.83%, nga 6.72% që ishin në ankandin e mëparshëm. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 7.7 miliard lekëve, prej të cilave 7.1 u blenë nga Banka e Shqipërisë me ofertë jokonkurruese.

Megjithëse Banka e Shqipërisë financoi pjesën dërrmuese të borxhit të emetuar, edhe këtë herë interesat u rritën ndjeshëm, çka është një fakt më tepër që dëshmon se rritja e normës bazë të interesit po transmeton efektin në tregje.