Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 15:58

Tiranë – Indeksi i Çmimit të Banesave, tregues i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, për 3-mujorin e tretë të këtij viti shënoi një rritje vjetore me 10.3%. Zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e tretë të vitit 2011, janë ndikuar nga një kontraktim i ofertës në zonat urbane. Në vitet e fundit, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ka qenë i ulët. Gjithsesi, sipas Bankës së Shqipërisë, të dhënat më të fundit për tremujorin e dytë të vitit 2011, tregojnë se numri i lejeve të ndërtimit për banesa ka vijuar të rritet. Përmirësimi i këtij treguesi për tre 3-mujorë rresht sinjalizon për rritje të ofertës së ardhshme të banesave. Nga ana tjetër, rritja pozitive e kredisë me qëllim blerje banese gjatë vitit 2011, tregon për një rritje të kërkesës që mund të ketë influencuar rritjen e çmimeve në tremujorin e tretë të këtij viti. Megjithatë, rezultatet më të fundit të vrojtimit të aktivitetit kreditues tregojnë se standardet e kredisë dhënë individëve për blerje banese pasi ndoqën një prirje lehtësuese në 6-mujorin e parë të vitit, u shtrënguan gjatë 3-mujorit të tretë.

Për sa i takon çmimit të qirave në Tiranë, indeksi gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2011, shënoi një rritje të lehtë vjetore me rreth 1.1%. Kjo rritje, edhe pse e ulët, vjen pas një rënie të vazhdueshme prej dy 3-mujorësh. Zhvillimet më të fundit në tregun e banesave tregojnë se çmimet e shitjes së tyre vijojnë të mbeten më të larta krahasuar me marrjen me qira të tyre. Raporti i indeksit të çmimeve të banesave me atë të qirasë shënoi vlerën 2.3, rreth 4.8% më i lartë krahasuar me 3-mujorin e mëparshëm dhe rreth 9.1% më i lartë krahasuar me të njëjtin 3-mujor të një viti më parë. (LajmeShqip.com)