Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 11:20

Shkodër – Reshjet e shiut të rëna përgjatë gjithë mbasdites dhe natës së djeshme e në vazhdim, ndonëse me një ritëm mesatar, por të pandërprerë në zonën veriore, kanë ndikuar në përmirësimin ndjeshëm të situatës në liqenet e hidrocentralit mbi lumin Drin.

Sipas informacionit të dhënë të martën  nga korrespondenti i ATSH-së në qarkun e Shkodrës, prurjet në kaskadën e hidrocentralit të Vaut të Dejëës janë në kuotat 200 metër kub në sek, çka ka bërë që ky hidrocentral të punojë me kapacitet të plotë përgjatë gjithë natës e në vazhdim.

Ndërkohë që kuota e nivelit të ujit në hidrocentralin e Vaut të Dejës aktualisht është 74.4 metër, me tendencë  rritje, nëse reshjet do të vazhdojnë të mbeten të tilla.

Sipas informacionit zyrtar nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, me kapacitet të plotë po punohet edhe në hidrocentralin e Komanit, ndërsa  ai i Fierzës vazhdon të mos funksionojë për shkak të kuotave nën nivelin e kërkuar.

Ndërkohë që vazhdimi i reshjeve në Malësitë e Shkodrës ka ndikuar në fryrjen e lumenjve Kir dhe Gjadër, që sipas përllogaritjes së prurjeve ato janë 330 metër kub në sek në Lumin Drin, ndërsa të gjithë së bashku, në derdhjen e lumit Buna shkojnë në 1 mijë metër kub në sek.

Gjithashtu, rritja e ndjeshme e nivelit të ujit në lumin Drin dhe Bunë nuk paraqet problem për zonat e Nënshkodrës përsa i përket fenomenit të përmbytjeve, edhe pse niveli i tyre është rritur, pasi argjinaturat e ndërtuar së fundi me investimet e Qeverisë garantojnë komunitetin për të mos u prekur nga ky fenomen.