Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 13:59

Porti i Barit fundjavën e kaluar ka shënuar një numër rekord turistësh me destinacion Shqipërinë. Rreth 66 % e tyre kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt vendit tonë, të ndjekur nga 24 % që kanë zgjedhur Greqinë dhe vetëm 10 % i janë drejtuar Kroacisë dhe Malit të Zi.

Sipas autoriteteve italiane në portin e Barit këtë fundjavë janë regjistruar 61 mijë udhëtarë dhe 14 mijë makina. Shifra këto që tregojnë një tendencë në rritje të personave që zgjedhin të udhëtojnë me traget në krahasim me javën e parë të muajit gusht, transmeton Shqiptarja.com.

Sipas autoriteteve portuale fluksi i udhëtarëve ka sjellë vonesa në akomodimin e pasagjerëve nëpër tragete si dhe ka shkaktuar bllokim të trafikut në sheshin Marisabella.

Në bazë të këtyre të dhënave shihet qartë një rritje e numrit të turistëve italianë drejt Shqipërisë, e cila dëshmohet me numrin e lartë të grupeve të kampingut , si dhe grupe të ndryshme rinjsh që vizitojnë vendin tonë.

Sipas komisionerit të portit të Barit, Francis Mariani rritja e numrit të pasagjerëve ka ardhur si pasojë e hartimit të platformave të favorshme dhe mbështetjes publike për të gjithë operatorët privatë. Mariani ka shtuar gjithashtu se infrastruktura mbetet ende problem dhe qeveria duhet ti kushtojë më shumë vëmendje porteve të jugut.