Lajme Shqip Monday, 02 July 2012 18:00

Tiranë –Në dy dekadat e fundit Shqipëria ka vuajtur nga mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve, një emërues i përbashkët ky për te dyja forcat kryesore politike.

Mungesa e nje vlerësimi ndërkombëtar se zgjedhjet përmbushën standardet më të larta demokratike është një nga arsyet kryesore përse Këshilli i Europës mban ende nën monitorim Shqipërinë. Ajo qe duhet arritur eshte qe vendi te kete standarde elektorale në lartesine e Kodit të Praktikave të Mira për Çeshtjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias. Një dokument të cilit politika shqiptare i referohet sa herë ka probleme me zgjedhjet.

Dhe sot, kur Shqiperia mban presidencen e Komitetit te Ministrave te Keshillit te Europes, qe perkon edhe me 10-vjetorin e miratimit te ketij dokumenti, reforma e pambyllur zgjedhore ishte pika kryesore e diskutimeve.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth folen qe te dy per domosdoshmerinë e mberritjes ne vijen e finishit, duke i lidhur reformat ende te pambyllura, me te ardhmen europiane te vendit.

“Në Komisionin e Reformës Zgjedhore është bërë një punë e madhe dhe sigurisht e vlerësueshme. Tani është finishi dhe kjo punë duhet të mbyllet. Nuk ka kohë për të humbur më tej.Shfrytëzoj këtë rast dhe të ftoj njerëzisht që ajo çka ka mbetur, të përfundohet shpejt.Eshtë koha tani. Shqiptarët duan statusin dhe ata e meritojnë. Shqiptaret nuk e falin bllokimin dhe këtë e kane treguar”, tha Topalli.

“Vija e finishit është afër, por vetëm për ata me vullnet politik.Një përfundim në kohë i reformës nevojitet edhe që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë përgatitjet e duhura në mënyrë të efektshme. Përmbushja e kësaj detyre kërkon, mbi të gjitha, që udhëheqësit politikë t’i lënë mënjanë interesat partiake vetjake dhe të vënë në plan të parë vendin e të nderojnë besimin, që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë”, tha Wollfarth.

Ajo që ndërkombëtarët presin për permbushjen e standardeve me te larta elektorale eshte vetem se partite politike duhet te tregojne vullnet politik ne zbatimin e ligjit zgjedhor, çka përbën edhe rekomandimin numer një dhe të pandryeshueshëm të OSBE/ODIHR për zgjedhjet.

“Na mbetet ende të shohim nëse udhëheqësit politikë të këtij vendi do të udhëhiqen nga një ndjenjë më e lartë përgjegjësie kundrejt qytetarëve dhe mirëqenies së tërë vendit. Sa gjatë mund të presë Shqipëria? Unë jam i bindur se qytetarët e këtij vendi janë në gjendje t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje”, theksoi Wollfarth.

Por derisa qytetareve t’u vije radha të shprehen me votë në zgjedhje, demokratët dhe socialistët kanë marrë përsipër të reformojnë Kodin Elektoral. Kur kanë mbetur vetëm 10 ditë kohe nga mandati i ri, Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka dhënë asnjë shenjë kompromisi.  (T.Ch)