Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 18:41

Prej më shumë se 10 vjetësh, politikanët shqiptarë flasin shpesh për domosdoshmërinë e reformës së pensioneve.

Por asnjë duket se nuk dëshiron të marrë përsipër kostot politike të një reforme kaq të vështirë.

Ky skenar përsëritet prej vitesh. Sot, ministri i Financave, Ridvan Bode, mbajti ligjëratën e radhës, lidhur me atë se sa e rëndësishme është reforma e pensioneve.

Ai tha se, prioritet nuk janë edhe aq përmasat sociale të një politike fiskale, por eficenca e përdorimit të fondeve për këtë qëllim, ndërsa shtoi se çështja nuk lidhet thjesht me faktin nëse duhet rritur, apo ulur mosha e pensionit.

 “Ne kemi deklaruar se është e domosdoshme një reformë pensionesh dhe jemi të bindur se duhet të jetë nxitëse për pjesëmarrësit në këtë skemë dhe kontribuesit e saj, reformë dinjitoze për përfituesit, që synon të rrisë përfitimet e pjesëmarrësve”, tha Bode.

Nga 54 miliardë lekë që ishin shpenzimet vjetore për skemën e pensioneve gjashtë vjet më parë, sot ato kanë arritur në 134 miliardë lekë.

Rritja e përvitshme e barrës për buxhetin dhe rritja e moshës mesatare të popullsisë po e bëjnë gjithnjë e më të domosdoshme reformën e pensioneve.

Por, gjithçka që është bërë në këto vite është vetëm rritja graduale e moshës së daljes në pension, vendim i marrë qysh gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste.