Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 12:35

Tiranë – Raiffeisen Bank Internacional, (RBI) shënoi një fitim të konsoliduar prej 1,087 milion euro në 2010, që paraqet një rritje prej 141.5 përqind në krahasim me fitimin e konsoliduar të RBI-se një vit më parë (2009:450 milion euro).

Burime nga Raiffeisen Bank në Shqipëri bënë të ditur se, ky rezultat pasqyron mbi të gjitha ndikimin pozitiv të nevojave të dukshme të ulta për provigjionet (humbje të kredive me probleme), të cilat ranë me 46.5 përqind ose 1,194 milion euro kundrejt (Pro forma 2009: 2,232 milion euro).

Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe të ardhurat neto të interesit për këtë bankë u rritën me 9 % ose në 3,578 milion euro (pro forma 2009: 3,282 milion euro).Të ardhurat nga tarifat neto të komisioneve u rriten 4.9 përqind ose 1,491 milion euro (pro forma 2009:1,421 milion euro ) dhe fitimi nga aksionet u rrit nga 3.27 në 4.56 euro (pro forma 2009: 1.29 euro).

Herbert Stepic, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Bank International shprehet se “viti 2010 ishte një vit vendimtar, si për kompaninë tonë ashtu edhe për tregun vendas të Evropës Qendrore dhe Lindore”.

Pavarësisht nga kostot e konsiderueshme shtesë të krijuara nga shkrirja, thotë ai, Raiffeisen Bank International arriti të postoj nje fitim të plotë vjeçare të kënaqshëm prej më shumë se një bilion euro për vitin e tij të parë financiar, duke shtuar se Raiffeisen Bank në projeksionin e vet është e mirë pozicionuar për të përmbushur sfidat e ardhshme dhe kërkesat e tregut.