Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 13:02

Tiranë – Kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëherazi  kandidat i PS-së për këtë post në zgjedhjet vendore të 8 majit, vijoi dhe sot takimet me banorë të kryeqytetit në kuadër të fushatës elektorale.

Në këtë kuadër ai u ndal në njësinë bashkiake nr.10, ku u takua me tregtarë të tregut çam në qendër të Tiranës. Rama theksoi se biznesi i paguan më pak taksa bashkisë, duke shtuar se çdo familje paguan 550 lekë në muaj për punët e qytetit, ndërkohë që vetëm TVSH-ja e bukës është më shumë se këto kontribute.

“Një familje e zakonshme kryeqytetase paguan sot 550 lekë në muaj për të mirëmbajtur dhe ndërtuar qytetin. Gjithë pastrimi i qytetit, ndriçimi, shkollat, rrugët janë kontribute të një familje që të përmbledhura llogariten në 550 lekë në muaj”, tha Rama.

Ndërkohë, që sipas tij, çdo familje paguan 50 herë më shumë si detyrim ndaj qeverisë. “Vetëm lekët që qeveria i merr një familje të zakonshme tek TVSH-ja e bukës në një muaj janë më shumë se sa kontributi për të gjithë punët e qytetit. Këto mjaftojnë për të shpjeguar se kush ua ka futur dorën në xhep shqiptarëve dhe kush i varfëron dhe u shton pafuqinë e tyre blerëse, përballë një tregu të kapur nga monopolet dhe një kusarie që thith përditë palcën e ekonomisë shqiptare”, u shpreh kandidati socialist i opozitës për postin e kreut të bashkisë së Tiranës.