Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 21:42

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha të hënën pasdite në tryezën për politikat fiskale, se politika e gabuar fiskale e qeverisë solli rritje zero të ekonomisë.

“I sugjeruam qeverisë të zbusë klimën e acaruar që ka krijuar për biznesin. Por qeveria refuzoi sugjerimin për ngrirjen e përkohshme të taksave ndaj biznesit. U deshën 2 vjet e gjysmë që të dëgjoheshin propozimet tona, por tani s’kanë efekt”, deklaroi Rama.

Ai u shpreh se sot borxhi i shqiptarëve nuk është 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por është shumë herë më i lartë. “Qeveria ka një borxh ndaj sipërmarrësve, ndaj qytetarëve, ndaj pronarëve, ish-të përndjekurve. Sot borxhi është të paktën 100 për qind e PBB-së së vendit”, theksoi Rama.

Kryetar i Partisë Socialiste shtoi se borxhi publik pas vitit 2005 është rritur me 3 miliardë dollarë dhe rritja e tij e vazhdueshme i kushton çdo familjeje 55 dollarë në muaj.

Një tjetër paradoks, siç e quajti Rama, është pagesa e taksave më të ulëta që bëjnë zyrtarët, duke filluar nga kryeministri, ministrat e tij dhe më poshtë. Ai kërkoi që të ulen taksat për mësuesit, mjekët, policët. Propozimin e ka, ne jemi gati ta votojmë. Gjithashtu, të ulë akcizën e naftës pasi është e domosdoshme, shtoi Rama. (LajmeShqip.com)