Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 20:50

Tiranë – Kërkesa e qeverisë për borxh është më e ulët dhe interesat e Bonove të Thesarit vijojnë rënien. Në ankandin e fundit, Bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 7.36%, nga 7.43% që ishte interesi në ankandin paraardhës.

Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 5.5 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte 7.2 miliardë lekë. Interesat lëvizën në rënie edhe për Bonot me afat maturimi 6-mujor. Ato u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 6.44%, nga 6.49% që ishte në ankandin e muajit Tetor. Qeveria mori një borxh prej 5.2 miliardë lekësh, ndërsa oferta për financim ishte 5.9 miliardë lekë.

Rënia e interesave reflekton pikërisht ofertën e lartë për financim të sektorit bankar, që disponon sasi të larta likuiditetesh të lira, në kushtet kur kredidhënia vazhdon të rritet me ritme të ngadalta. Nga ana tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për financim në pjesën e dytë të vitit paraqitet më e ulët.

Për 6-mujorin e parë të vitit, qeveria emetoi Bono Thesari në vlerën e 172 miliardë lekëve, ndërsa në periudhën nga Korriku deri në mes të Nëntorit vlera e borxhit të marrë nëpërmjet Bonove ishte 122 miliardë lekë. Siç vërehet edhe nga grafiku, për 6-mujorin e parë të vitit qeveria mori mesatarisht 7.8 miliardë lekë borxh për çdo ankand, ndërsa që nga Korriku deri tani, vlera mesatare e huamarrjes për ankand ka rënë në 6.8 miliardë lekë.

Kërkesa në rënie po çon në uljen e interesave, që nënkupton borxh publik më të lirë, por edhe kredi më të lira në lekë për sektorin privat.