Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 08:12

Qeveria e Kosovës nuk u beson statistikave që publikohen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është nën komandën direkte të kryeministrit të Kosovës. Statistikat për rritjen ekonomike dhe ato për papunësinë e kanë befasuar ministrin e Financave, Avdullah Hoti.

Hoti në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” ka thënë se statistikat e ASK-së janë befasuese për dikasterin që ai drejton.

“Kohë pas kohe Agjencia e Statistikave po na surprizon, me vlerësime që janë surprizë dhe jashtë kontekstit nganjëherë”, ka thënë ai, kur është pyetur për rritjen e papunësisë për vitin 2014 për 18 për qind.

Ka thënë se cilësia e të dhënave të ASK-së është shumë e ulët, kur është ftuar t’i komentojë të dhënat e ndryshme të Bankës Qendrore të Kosovës dhe ASK-së për rritjen ekonomike të vitit 2014. BQK-ja ka thënë se rritja ekonomike ka qenë 2.7 për qind, e ASK-ja në bazë të të dhënave preliminare thotë se rritja ka qenë vetëm 0.9 për qind.

“Tani nuk po dua të hyj nëse rritja ekonomike ka qenë 0.9 për qind apo 3 për qind”, ka thënë Hoti. “Atë që unë pajtohem është që cilësia e të dhënave në Kosovë është shumë e ulët, sidomos cilësia e të dhënave në bazë të të cilave ne mund të nxjerrim rritjen ekonomike”.

Thotë se ASK-ja edhe kur prodhon të dhëna të besueshme i publikon me vonesë saqë nuk i hyjnë më asnjë institucioni në punë.