Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 17:03

Prishtinë – Ministri e Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, tha të premten se privatizimi i PTK-së do të kryhet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe në transparencë të plotë.

Në një takim me sindikalistët e PTK-së, Beqaj ka premtuar realizimin e plotë të interesave të punëtorëve të kësaj kompanie publike.

Ministri Beqaj tha se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në kuadër të privatizimit të garantojë kontratat 4-vjeçare për punëtorët e PTK-së.

Ai i ka informuar sindikalistët për progresin e arritur në procesin e privatizimit, për të cilin tha se është pjesë e reformës strukturale të ekonomisë së Kosovës  dhe aplikim i modelit të ekonomisë së tregut sipas standardeve perëndimore.

Sipas ministrit Beqaj, kjo do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më të lira, më cilësore dhe më efektive për qytetaret e Kosovës, krijon kushte për punësime të reja nga investimet e ardhshme, përmirësimin e transparencës dhe zvogëlimin e mundësive për keqpërdorime.

Në takim me sindikalistët e PTK-së ku ishte i pranishëm edhe ministri i punës Nenad Rashiq, Beqaj tha se në privatizimin e PTK-së do të sigurohet transparencë e plotë e procesit dhe plotësim i standardeve më të larta ndërkombëtare të privatizimit. Sigurimi i ligjshmërisë dhe garancitë të cilat i jep Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mundësojnë arritjen e vlerës maksimale të shitjes për PTK-në. Ministri Beqaj ka ofruar  gatishmërinë e tij dhe të anëtarëve tjerë të Komisionit Qeveritar për Privatizim që të dialogohet me sindikalistët me qëllim të arritjes së marrëveshjes kolektive, e cila do të jetë pjesë e pakos së marrëveshjeve të ofruara për investitorët.