Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 17:23

Tiranë – Këshilli i Ministrave vendosi sot të heqë plotësisht tarifën doganore prej 12.5 për qind për mallrat e industrisë së fasoneve, një vendim që sipas Kryeministrit Sali Berisha lehtëson klimën e biznesit në vend.

Duke cilësuar fasonet si një nga industritë më kryesore të vendit, Berisha tha se “kjo industri ka bërë që prodhimet shqiptare të kenë treg të suksesshëm dhe të garantuar në mbarë europën dhe botën.

Ai theksoi se industria fason deri në vitin që kaloi ka përbërë 2/3 e eksporteve të vendit, kurse në 2010-2011 ka dëshmuar një ndryshim të madh në rritjen e eksporteve “Made in Albania”.

Në këtë drejtim, Kryeministri vlerësoi rolin e kësaj industrie në rritjen e punësimit në vend.

“Kjo industri po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një industri eksporti. Aktualisht shikohet një interesim i sipërmarrësve që prodhojnë në vendet arabe për të investuar në Shqipëri, pasi e konsiderojnë vendin tonë me klimën më të përshtatshme për biznesin në europën juglindore”, tha Berisha.

Sipas tij “kjo përbën një mundësi të madhe reale, jo vetëm për fuqizimin e prodhimit, por edhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë dhe luftën me eficencë ndaj papunësisë”. “Qeveria vendos në këto kushte që tarifën doganore prej 12.5 përqind për mallrat e kësaj industrie ta zerojë. Buxheti i Shtetit pëson ulje nga ky vendim, por nga ana tjetër kjo përbën një nxitje dhe inkurajim të madh për këtë industri”, tha Berisha.

Edhe pse ky vendim do të ketë një ndikim jo të vogël në buxhetin e shtetit për këtë vit, Kryeministri siguroi se vitin që vjen përfitimet në buxhetin e shtetit nga kjo industri do të dyfishohen.

“Kjo është industria kryesore punësuese dhe jep një rritje të madhe të eksporteve. Shqipëria është i vetmi vend që në një hark kohor 2 vjeçar dyfishon eksportet e saj”, tha Berisha.