Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 18:35

Tiranë – Sipas Top Channel, Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë e ka përgatitur formulën, e cila shumë shpejt do t’i dërgohet si draft qeverisë dhe më pas kuvendit për votim së bashku me ndryshimet në buxhet.

Me këtë draft, qytetarët të cilët importojnë një automjet nga jashtë nuk do të paguajnë më doganë, por ajo do të zëvendësohet nga një taksë tjetër, e cila do të paguhet në secilin vit, kur bëhet kolaudimi i makinës.

Taksa e re bazohet pak a shumë tek e njëjta formulë si ajo e taksës së importit, por duke qenë e shtrirë në vite, shuma që do paguhet për çdo vit është dhjetëra herë më e ulët nga taksa ekzistuese, e cila në disa raste ishte sa tre apo katërfishi i cmimit të vetë automjetit. Edhe taksa e re varet sërish nga numri i viteve të përdorimit të automjetit dhe cilindratat e saj.

Paralelisht me doganën dhe taksën e shitjes brenda vendit do të hiqet edhe taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit, të cilat nuk do të paguhen më çdo vit, sikurse është bërë deri më tani, por do të mblidhen në mënyrë indirekte përmes rritjes së taksave të karburanit.

Gjithashtu bëhet e sditur se qeveria do të rrisë me 2 lekë për litër taksat e karburanit, cka sipas tyre bën një shpërndarje më të drejtë të taksës.

Me formulën e re, taksa që një qytetar do paguajë për qarkullim dhe regjistrim do të varet se sa ai e përdor automjetin e tij sepse do jetë e inkorporuar në karburant. (Top Channel)