Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 12:21

Tiranë – “Qeveria shqiptare është e vendosur të zbatojë standardet më liberale në Evropë në tregun energjetik”, theksoi sot Kryeministri Sali Berisha në Workshop-in e energjisë, të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe kompania Statkraft.

“Në një hark të shkurtër 3 vjeçar qeveria ia doli të ndezë një garë të pa precedentë në këtë sektor. Ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata për 300 hidrocentrale. Investimet në këtë fushë po rriten me shpejtësi”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se një kusht i domodoshëm për të qëndruar në lartësinë e këtij procesi është dixhitalizimi i këtij sektori.

“Shqipëria sot është në skenën e interesave të mëdha të investitorëve europianë e botërorë të energjisë së rinovueshme”, tha Berisha, duke ftuar investitorët e huaj të ndjekin shembullin e kompanive si EVN apo Statkraft që kanë investuar në Shqipëri.

“Energjia është një përparësi madhore, pasi Shqipëria ka burime të mëdha të pashfrytëzuara të energjisë së rinovueshme. Ky vend është i bekuar, plot ujë dhe me një reliev të tillë, që i bën këto ujëra shumë efiçente në prodhimin e energjisë. Është një vend me pozicion gjeografik të shkëlqyer përballë tregut më të uritur në Evropë, siç është Italia”, theksoi Berisha.

“Energjia është një nga mundësitë e para të mëdha për ta shndërruar Shqipërinë në një vend tërësisht të bazuar në energjinë e rinovueshme, çka besohet universalisht se ka epërsi në qëndrueshmërinë e zhvillimit në raport me të gjitha energjitë e tjera. Pikërisht për këto arsye qeveria shqiptare është  përqëndruar në këtë fushë”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu Berisha garantoi edhe liberalizimin e tregut, si kusht i suksesit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Liberalizimi i tregut është kusht i të gjitha kushteve për zhvillimin në këtë sektor, ne nuk kemi frikë nga liria, ne i besojmë asaj dhe jemi të bindur se sa më shumë të zgjerojmë hapësirat e saj në të gjitha fushat e jetës, por veçanërisht në ekonomi, aq më i qëndrueshëm do të jetë zhvillimi i ekonomisë dhe aq më të sigurta do të jenë investimet e huaja”, tha Berisha.

Kryeministri garantoi se qeveria do të jetë shumë e ndjeshme dhe do të bëjë gjithçka për realizimin e praktikave më liberale.

“ERE, Parlamenti dhe qeveria janë të vendosur të marrin të gjitha hapat për të vendosur standardet më liberale të tregut energjetik”, theksoi shefi i qeverisë.

Sipas Kryeministrit, “një kusht i domosdoshëm për të qëndruar në lartësinë e këtij procesi është dixhitalizimi i këtij sektori”.

“Nëse energjia përbën faktorin kryesor të zhvillimit të degëve të tjera të ekonomisë, dixhitalizimi i saj do të ishte truri i këtij sistemi, do të përbënte një nga kushtet për të shfrytëzuar hapësirat e mëdha të lirisë së tregut në ekonominë e një vendi. Prandaj le të bëjmë një vështrim të gjithanshëm të këtij problemi”, deklaroi Berisha.

“Shqipëria sot është në skenën e interesave të mëdha të investitorëve evropianë e botërorë të energjisë së rinovueshme. U ndala tek uji, por nuk ka ndonjë vend në Evropë me më shumë ditë me diell se Shqipëria. Vendi ynë ka platforma ere ndër më të shkëlqyerat e të fuqishmet, në luginat dhe zonat e tjera të saj.  Shqipëria ka një nëntokë shumë të pasur për energjinë gjeotermike. Kompanitë më të mëdha të gjeotermisë kanë konstatuar se investimet në këtë fushë në Shqipëri janë mjaft të leverdisshme. Jemi shumë të kënaqur që në këtë fushë kemi partnerë të energjisë së rinovueshme si EVN, Statkraft dhe shumë kompani që tregojnë interes të madh për rezervat e mëdha të këtij vendi në energjinë e rinovueshme”, tha Berisha.

Sipas tij, “ky interes në fushën e energjisë shkon dora dorës me dinamizimin e ekonomisë shqiptare”. “Sapo vij nga një takim me zyrtarë të financave, të cilët më informojnë se xhiro 11 mujore e ekonomisë shqiptare, sipas deklaratave të biznesit, është 11. 6%, qarkullimi total është 22.8%. Pra kjo ekonomi ka ruajtur dhe ruan dinamizmin e saj. Kjo ekonomi në një hark kohor 2009-2011 mund të jetë e vetmja që ka dyfishuar eksportet, ka dyfishuar prodhimin që eksporton. Edhe ky mjedis optimist, entuziast, është një thirrje shtesë dhe inkurajimi shtesë për të investuar në fushën e parë që është energjia”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.