Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 19:00

Tiranë – Këshilli i Ministrave miratoi të martën vendimin për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, i propozuar nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit.

Masa e shpërblimit të pronarëve të ligjshëm, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim është përcaktuar në përpjesëtim të drejtë me sipërfaqen e parcelës ndërtimore të zënë nga objekti pa leje.

Ky vendim përcakton shpërblimin e pronarëve të ligjshëm në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës, Durrësit dhe Korçës për një sipërfaqe prej 112 699.87 m2 tokë truall, me vlerë të përgjithshme 1 256 137 435 lekë.

Vlera e shpërblimit të pronarëve të ligjshëm është përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke e përllogaritur sipërfaqen që kompensohet, si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim, sipas ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.