Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 14:20

Prishtinë – Sindikata Profesionale e Punëtorëve të PTK-së kërkon nga Qeveria e Kosovës ruajtjen e vendit të punës dhe nivelit aktual të pagave të punëtorëve të PTK-së, për së paku 5 vite pas privatizimit.

Në një takim me ministrin Beqaj, përfaqësuesit e Sindikatës paraqitën një varg kërkesash që kanë të bëjnë me mbrojtjen e punëtorëve. Kërkesat kryesore ishin sigurimi i vendit të punës dhe i pagës aktuale për 5 vite të ardhshme. Ministri Besim Beqaj, duke theksuar se do t’i procedojë këto kërkesa në Komitetin për privatizim, tha se kryeminstri ka premtuar se nuk do të lëshojë pe në asnjë moment që të bëhen kontrata më të shkurtëra se 4 vite.

Sindikata kërkoi edhe respektimin e Ligjit të punës dhe garantim të investimeve qindra milionëshe nga blerësi i ardhshëm.

Seremb Gjergji, anetar i Kryesisë ss Sindikatës Profesionale të punëtorëve të PTK-së, tha se ata kërkojnë që, “nëse ndodhë shitja, të ketë një investim prej minimum 200 milionë eurosh për tri vitet e ardhshme”.

“Kjo nënkupton që do të hapen edhe 500 vende të reja të punës në PTK dhe nuk do të ketë kurfarë krize.”

Ministri Beqaj theksoi se me privatizim, përveç punëtorëve, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit.