Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 11:24

Tiranë- Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Eknomisë dhe Financave, Mimi Kodheli, i kërkoi te henën Kuvendit të marrë në shqyrtim propozimet e bëra nga Partia Socialiste, pasi, sipas saj, ato synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët të cilët jetojnë nën minimumin jetik.

“Ne kemi më shumë se dy muaj që kemi paraqitur një sërë propozimesh me shpresën se jo vetëm do të ishin paraqitur për diskutim, por dhe do të mereshin parasysh, propozime, të cilat do të ishin në favor të qytetarit shqiptar”, deklaroi Kodheli.

Sipas saj, në kushtet  kur ekonomia shqiptare është mbërthyer nga kriza ekonomike globale çmimet e produkteve bazë janë rritur, ndërsa fuqia blerëse është në rënie, për shkak se çmimet e produkteve bazë janë 2-3 fishuar.

Kodheli, në emër të grupit parlamentar të PS-së, parashtroi propozimet, të cilat, sipas saj, do të ulnin koston e jetesës së qytetarit shqiptar e që kanë të bëjnë me përgjysmimin e TVSH-së për mallra bazë nga importi, që do të sillte një efekt prej 1.8 miliardë lekë, uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 20 % në 6 %, që do të kishte një efekt vetëm 3.1 miliardë lekë, si dhe heqjen e TVSH-së për ilaçet dhe librat.

Kodheli kërkoi edhe rikthimin e taksimit progresiv. “Taksa e sheshtë mbi të ardhurat personale është një tjetër diskriminim mbi ata që marrin paga të ulëta. Ne propozojmë një taksë progresive. Jemi të gatshëm të paguajmë më shumë tatim”, deklaroi Kodheli.

Në këtë kuadër, Kodheli nënvizoi se efektet e ndërmarrjes së kësaj pakete do të mund të kompensoheshin fare mirë përmes luftës kundër korrupsionit.