Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 19:24

Tiranë-Qeveria ka përzgjedhur kompaninë “Roland Berger” si konsulente për projektin TAP për transportin e gazit natyral nga rajoni i Lindjes së Mesme, duke ndjekur një rrugë që kalon në Greqi, Shqiperi dhe Itali nëpërmjet Detit Adriatik.

Pikërisht sot u zhvillua raundi i dytë i negociatave për projektin e gazsjellësit TAP, mes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, dhe konsurciumit TAP.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço bëri të ditur për mediat se kjo kompani do të shërbejë si konsulente e projektit “Për rritjen e kapaciteteve të qeverisë shqiptare për infrastrukturat e Mëdha të Gazit”, i cili financohet nga qeveria Zviceriane dhe qeveria Norvegjeze.

“Kjo kompani do të këshillojë grupin negociator, qeverinë shqiptare në negociatat me konsorciumin TAP për të realizuar më së miri përfitimet që do të vijnë nga ky investim i huaj në vendin tonë. Përfitoj nga rasti të njoftoj me kënaqësi se sot përfundoi dhe raundi i dytë i negociatave për gazsjellësin TAP ku palët negociatore diskutuan edhe mbi një marrëveshje ndërqeveritare të vendeve pritëse si Shqipëria, Italia dhe Greqia për gazjellësin TAP.”,- u shpreh ministri Naço.

Gazsjellësi “Trans Adriatik Pipeline” (TAP) është një projekt për transportin e gazit natyral nga rajoni i Lindjes së Mesme, duke ndjekur një rrugë që kalon në Greqi, Shqiperi dhe Itali nëpërmjet Detit Adriatik.

Projekti është publikuar që në vitin 2003 nga kompania zvicerane e energjisë EGL, ndërsa studimi i fizibilitetit për projektin ka përfunduar në vitin 2006.

I cilësuar si korridori i gazit, “TAP” vjen si një burim i ri furnizimi gazi për Europen nga Lindja Mesme, duke ulur në këtë mënyrë ndjeshëm varësinë nga Rusia.

Linja do të fillojë në Greqi afër Thesalonikisë, nëpërmjet Shqipërisë dhe detit Adriatik e do të përfundojë në Itali, afër Brindizit. Linja është 520 kilometra e gjatë dhe kostoja e ndërtimit parashikohet të jetë 1.5 miliardë euro.