Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 12:33

Tiranë- Konsorciumi i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) mirëpret partnerë nga Greqia dhe Italia pas përjashtimit të Gazsjellësit ITGI, pasi parashikon që gazsjellësi të hyjë në Greqi nga kufiri me Turqinë, të kalojë në Shqipëri për të dalë në Itali.

Grupi i udhëhequr nga British Petroleum (BP) po zhvillon fazën e dytë të bisedimeve në fushën e Shah Denizit për të përzgjedhur në Qershor mes gazsjellësit të Europës Jug-Lindore dhe projektit Nabucco. Pas kësaj procedure nis faza e tretë, ku fituesi do të konkurrojë me projektin TAP për të kaluar në marrjen e vendimit përfundimtar, që pritet në mes të vitit 2013.

Sipas burimeve zyrtare të TAP-it, zbatimi i projektit siguron gaz për gjithë tregun e Ballkanit. Projekti ka kapacitet fillestar prej 10 miliardë m3/vit gaz, me mundësi dyfishimi të sasisë. Zgjerimi i kapaciteteve të gazsjellësit në Greqi bën të mundur edhe furnizimin e Qipros, Izraelit, Irakut dhe Turkmenistanit.

TAP ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Plinarco Ltd dhe BH-Gas për ndërtimin e gazsjellësit Jon-Adriatik (IAP). Ky gazsjellës do të lidhet me TAP-in në Shqipëri dhe do të shpërndajë gaz në Malin e Zi, Bosnje dhe Kroaci. Në Shqipëri, në muajin Qershor pritet që projektuesit e TAP të paraqesin në Tiranë raportin e plotë të vlerësimit pas dorëzimit të vlerësimit zyrtar të ndikimit mjedisor dhe social në muajin prill 2011.

Pas Shqipërisë dhe Greqisë, drejtuesit e projektit të gazsjellësit “Trans Adriatik”, (TAP)  dorëzuan këto ditë  në Itali përfundimet e studimit mbi Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social ku do të kalojnë tubacionet e gazit me gjatësi 45 km në det për të dalë në zonën e Leces. Për këtë studim punuan tre vjet për të identifikuar terrenin një grup ekspertësh italianë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë zgjedhur zonën e Leçes, duke shmangur kalimin e gazsjellësit në zonat ekologjikisht të ndjeshme.

Burime të TAP-it njoftojnë se studimi mbi ndikimin në mjedis është kryer për Shqipërinë dhe Greqinë për transportimin e gazit nga Azerbajxhani, drejt Europës. Gjurma e TAP-it në Shqipëri u identifikua nga një studim i zgjeruar për përmirësimin e gjurmës së tubacionit në vitet 2009-2010, ku vëmendje e veçantë i’u kushtua shmangies së habitateve natyrore të ndjeshme. Kështu TAP do të anashkalojë Parkun Kombëtar të Hotovës dhe luginën e lumit Vjosë.

Duke hyrë nga Greqia në Miras në rajonin e Korçës, seksioni shqiptar i gjurmës zgjatet në gjatësinë prej 209 km deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit. Seksioni në det të hapur me gjatësi prej 60 km do të kalojë në detin Adriatik për të hyrë në Italinë e jugut pranë San Fokës.

Ndërtimi i tubacionit pritet të fillojë në vitin 2015 nëse TAP do të përzgjidhet si zgjidhja e preferuar e transportit të gazit nga Konsorciumi i Shah Deniz përmes Greqisë dhe Shqipërisë, do të kalojë në detin Adriatik në jug të Italisë dhe më tej, në Evropën Perëndimore duke rritur sigurinë e furnizimit dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane.

TAP do të jetë rreth 800 km e gjatë, në Greqi 478 km; Shqipëria 204 km; pjesa detare në Detin Adriatik 105 km; Italia 4 km. Transporti do të fillojë në afërsi të bregdetit greko-turk në Komotini, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe detin Adriatik dhe do të lidhet me sistemin italian të shpërndarjes së gazit natyror pranë San Fokas në Itali. TAP do të hapë një korridor të ri të ashtuquajtur Korridori Jugor i Gazit në Evropë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga rajoni i Kaspikut dhe më tej. (LajmeShqip.com)