Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 10:41

Prodhuesit vendorë, të përballur me pengesa gjatë eksportit në Shqipëri, kërkojnë që sa më parë të merren masa për evitimin e tyre.

Raportet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk janë në nivelin e dëshiruar. Eksportuesit vendorë edhe më tej përballen me pengesa gjatë eksportit në Shqipëri, pavarësisht se ekzistojnë marrëveshje të shumta për lehtësimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve, thotë për radio Kosovën, kryetari i shoqatës së eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani.

“Këto probleme ekzistojnë për më tepër se dhjetë vjet edhe pse komuniteti i biznesit është shprehur se është për një bashkëpunim të sinqertë mes dy vendeve dhe se ne duhet të funksionojmë si një treg i përbashkët, mirëpo në realitet nuk po ndodhin. Është koha e fundit njëherë e përgjithmonë këto probleme të eliminohen”, thotë Hasani.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se nuk ka pasur angazhim serioz për heqjen e pengesave tregtare nga ana e Shqipërisë. Madje ai thekson se atje janë krijuar grupe të caktuara, që janë kundër prodhimeve kosovare, dhe sipas tij, po rrezikojnë edhe bashkëpunimin ekonomik.

“Nuk jetohet vetëm nga bashkëpunimi politik. Është koha kur Shqipëria duhet ta thotë të vërtetën që është e vërshuar nga klane të tilla dhe ato klane nuk e lënë prodhimin e Kosovës të depërtojë dhe të marrë frymë”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut së fundmi pengesa gjatë eksportit në Shqipëri kanë pasur eksportuesit e rrushit dhe të prodhimeve farmaceutike, ndërsa Shqipëria nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e problemit. “Vërtetë është një turp që e dëmton edhe Kosovën edhe Shqipërinë por edhe më tepër e dobëson partneritetin dhe rrugëtimin tonë, kinse drejt familjes evropiane”, theksoi Gërxhaliu, raporton Radio Kosova.

Por ministrja e tregtisë dhe industrisë, Hykmete Bajrami, u ka thënë afaristëve se gjatë takimeve me zyrtarë të Shqipërisë para ca ditësh janë pajtuar që të angazhohen për zgjidhjen e këtyre problemeve në afate rekorde. Ndërkohë ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të bëhet edhe unifikimi i certifikatës veterinare dhe asaj fitosanitare, çështje që sipas saj, pritet të ndikojnë në lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë.

Ndryshe, Shqipëria edhe më parë kishte bllokuar tregtimin e prodhimeve nga Kosova, si të patates, miellit, e produkte tjera.