Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 18:37

Tiranë – Me daljen e produkteve bujqësore vendase në treg çmimet e këtyre të fundit do të vijojnë të ulen. Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, thotë se çmimet e prodhimeve bujqësore janë të pranueshme për sezonin dhe do të vazhdojnë të bien.

Sipas Ferizajt, gjatë këtij tremujori prodhimi bujqësor është rritur me 9% dhe kjo rritje mund të arrijë deri në 50% krahasuar me vitin 2010. Ai thotë se krahas uljes së çmimeve do të vazhdojë dhe rritja e eksporteve të prodhimeve tona, sidomos me vendet e Bashkimit Europian.

Fakti që krahas rritjes së eksporteve për produktet bujqësore kemi dhe një rritje të importeve, eksperti e argumenton me rritjen e mirëqënies dhe të fuqisë blerëse të konsumatorit shqiptar.

Bujqësia është një ndër sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, por zhvillimi i saj ngelet larg potencialeve të veta. Gjysma e granteve të dhëna nga qeveria në ndihmë të fermerit kanë qenë për të ulur sipërfaqen e tokave jo produktive. Ferizaj thotë se kjo sipërfaqe toke është ulur ndjeshëm, falë subvencioneve që shteti jep për mbjelljen e drurëve frutorë.

Bujqësia përbën rreth 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë dhe pesha e saj specifike ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit, çka tregon se zhvillimi i bujqësisë ka qënë më i ngadaltë krahasuar me sektorët e tjerë strategjikë të ekonomisë.