Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 08:18

Gjirokastër – Mjaft prodhues në qarkun e Gjirokastrës kanë rritur tregjet jo vetëm brenda vendit, por edhe në ato europiane, kryesisht me produkte bujqësore, blegtorale dhe gurët dekorativë.

Kreu i Dhomës së Tregtise në Gjirokastër, Mustafa Devolli ka thënë se cilësia dhe larmia e produkteve që prodhojnë kompanitë në jug të vendit kanë tërhequr në 10 vitet e fundit kërkesat edhe nga tregjet europiane, sidomos gjatë 10 viteve të fundit.

Devolli veçon faktin që kriza globale dhe ajo në vendin fqinj, Greqi, nuk e ka penguar binzesin, sidomos atë prodhues ne qarkun e Gjirokastrës, që të rrisin prodhimin dhe t’i eksportojnë nën logon “Made in Albania” deri në Rusi.

“Ndër produktet e kërkuara në tregjet e huaja kryesojnë ato bujqësore, ku më të pëlqyerat sidomos në tregun grek janë kërkesat për djathin e bardhë, djathin kaçkavall, gjizën, luleshtrydhet, etj”, shprehet Devolli, sipas të cilit fabrikat që operojnë janë të stadarteve më të mira bashkëkohore.

Mjaft i kërkuar nga tregu i huaj gjatë viteve të fundit, rezulton guri dekorativ.

“Disa kompani në Përmet dhe Gjirokaster eksportojnë tonelata me gurë dekorativë”, thotë Devolli.

Ai u bën apel fermerëve që t’i rikthehen punimit të tokës për të mbjellë kultura bujqësore të traditës si fasule, patate qepë, të cilat deri tani sigurohen nga importi.

Në rajonin jugor ushtrojnë aktivitet 2.500 subjekte fizike dhe juridik në fushat prodhuese, përpunuese,  sherbime,  tregti, etj. Kapitali qarkullues dhe numri i të punësuarve e rendisin biznesin në vendin e parë për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe me gjerë.