Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 13:52

Tiranë – Kuvendi miratoi sot ndryshimet në ligjin për privatizimin e “Insig”, në përpjekje për të zhbllokuar privatizimin e kompanisë publike të sigurimeve. Ndryshimet parashikojnë heqjen e referencës ligjore për çmimin e shitjes. Çmimi minimal i shitjes do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të bazohet në vlerësimin e ri të aseteve të “Insig” nga një shoqëri e specializuar.

Ndonëse që prej një viti është bërë shpallja për nxjerrjen në shitje, askush nuk është interesuar për ta blerë “Insig”. Kjo e ka detyruar qeverinë shqiptare të ndryshojë ligjin e privatizimit të kompanisë, sipas rekomandimit të konsulentit “BNP Paribas”.

Sipas vlerësimit të tre viteve më parë, asetet e “Insig” kishin një vlerë prej 5.8 miliardë lekësh. Por pjesa e tregut të “Insig” ka rënë gradualisht dhe në fund të vitit 2010 ishte 8.4%, nga 15.2% që ishte në fund të vitit 2008, para privatizimit të dështuar. Sipas ofertës së  kompanisë amerikane “American Reserve Life Insurance” në vitin 2009, “Insig” u vlerësua rreth 41 milionë euro.  (LajmeShqip.com)