Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 15:32

Prishtinë – U çel sot në Prishtinë Panairi i dhjetë ndërkombëtar në fushën e ndërtimit, energjetikës, teknikës dhe industrisë së drurit ˝EXPOKOS 2011˝, organizuar nga CEO.

Rreth 360 kompani vendore dhe ndërkombëtare do të prezantojnë prodhimet dhe shërbimet e tyre për katër ditë radhazi në panairin ndërkombëtar “Ekspokos 2011”.

Prodhuesit e vlerësojnë këtë si mundësi të mirë për prezantim, por edhe marrëveshje bashkëpunimi.

Në panair prezantohen në mënyrë të organizuar edhe kompani nga Sllovenia, Bosnja, Kroacia, Turqia etj. Kompania “Bogner Edelshtahl” nga Bosnja është pjesë e një korporate austriake që ndërton shtëpi montazhi nga hekuri.

Vedran Miljak, menaxher i kësaj kompanie thotë se prodhimet kanë qëndrueshmëri afatgjatë, ka thënë: “Nga zyra në Bosnjë mbulojmë tërë Ballkanin. Jemi për herë të parë në Kosovë dhe natyrisht jemi të interesuar të gjejmë dhe të bashkëpunojmë me partner kosovarë”.

Panairin “Ekspokos 2011” e shpalli të hapur kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Drejtori i organizatës CEO, Bekim Xhafa, theksoi se edicioni i sivjetshëm, i dhjeti me radhë, karakterizohet me risi të shumta gjatë katër ditëve në vijim, takime biznesi ndërmjet Kosovës dhe Italisë, pastaj me ata të Greqisë etj.  Ndryshe, në Kosovë panairet organizohen në hapësira jo të përshtatshme.

Ndërkohë në zonën industriale në Fushë Kosovë ka nisur ndërtimi i një objekti ekskluziv për organizimin e panaireve, që do të kushtojë rreth 4 milionë euro, të siguruara nga Buxheti i Kosovës. Ky projekt, që pritet të përfundojë gjatë vitit 2011, nga ekspertët është vlerësuar si shumë i rëndësishëm për biznesin e vendit.