Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 16:29

Prishtinë – Krahas rrugës që duhet të kalojmë për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE, ne duhet të aktivizojmë edhe tërë potencialin tonë zhvillimor, ekonomik dhe bujqësor që të bëhemi sa më konkurues në tregjet e rajonit dhe tregjet e vendeve të BE-së, ka thënë ministri Blerand Stavileci.

Ministri i Bujqësisë, Blegtorisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, e bëri këtë deklaratë gjatë takimit të parë të Komitetit Monitorues të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Sipas tij, vendosja e themeleve për zhvillimin e vendit ka qenë prioritet i deritanishëm i institucioneve dhe organizatave të huaja, por zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, fuqizimi i shtetit ligjor dhe integrimi në strukturat euroatlantike, është prioritet i tanishëm i qeverisë së vendit.

Ministri e konsideroi si nevojë imediate rritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe të bashkërendimit ndërmjet gjithë aktereve në fushën e bujqësisë, duke filluar nga fermerët, agrobizneset, shoqëria civile, agjencitë dhe grupet e ndryshme të interesit për shtyrjen e proceseve drejt realizimit të mëtejshëm.