Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 18:25

Shkup – Autostrada Shkup – Prishtinë, e përfolur me të madhe, kohëve të fundit ngeli nën hijen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u mbajtën në Kosovë, dhe tani nën hijen a atyr të cilat do të mbahen në Maqedoni.

Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se janë në pritje të paraqitjes së koncesionerëve të interesuar. Sipas zyrtarëve të qeverisë, kjo rrugë do të shërbente si një mundësi lehtësuese në transportimin dhe qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve në mes të Maqedonisë dhe Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha tha se sa i përket kësaj autostrade ka përfunduar vetëm faza e parë, apo faza projektuese.

“Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë projekt qeveritar, i cili pritet të ndërtohet deri në pikën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo rrugë në masë të madhe do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, dhe do të mundësojë një lidhshmëri më të afër në mes këtyre dy shteteve. Mjetet financiare do të sigurohen me koncesion ndërkombëtar në kuadër të Korridorit 8”, ka thënë zëdhënësi Hoxha.

Kohë më parë nga Agjencia e Rrugëve Shtetërore, kanë deklaruar se procedura është deri aty ku duhet të zgjidhet koncesioneri, i cili është i interesuar ta ndërtojë këtë aks rrugor. “Jemi në fazën kur është hapë opsioni për përzgjedhjen e koncesionerit, i cili është i interesuar për ta ndërtuar aksin rrugorë Shkup-Bllacë, sepse kjo rrugë së bashku me dhjetëra të tjera, do të ndërtohen me të hollat e konsesionerëve, dhe nuk dimë se kur do të fillojë ndërtimi i kësaj rruge”, ka thënë Natasha Vallkanovska, drejtoresha e Agjencisë së Rrugëve Shtetërore. Ish ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, herën e fundit në gusht të vitit të kaluar kishte dhënë deklaratë shpresëdhënëse për banorët e Kosovës dhe të Maqedonisë, se autostrada Prishtinë-Shkup, gjatë muajit të ardhshëm pritet të finalizohet projekti i autostradës Shkup-Prishtinë, i cili projekt do të shkojë sipas procedurave të aeroportit drejt koncensionimit, dhe se së shpejti do të fillon të ndërtohet.

“Autostrada Prishtinë – Shkup parashihet të jetë në gjatësi prej rreth 60 kilometrash dhe kryesisht nuk do të ndërtohet në rrugën ekzistuese. Ndërtimi i kësaj autostrade do ta shkurtojë në masë të madhe gjatësinë e rrugës, krahasuar me atë ekzistuesen. Kjo autostradë, gjithashtu parashihet që të lidhet edhe me Malin e Zi, duke filluar Prishtinë-Pejë-Mali i Zi”, pati deklaruar ish ministri Limaj.

Kjo rrugë është pjesë e Korridorit 8, dhe duhet të jepet me koncesion.