Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 19:05

Këshilli i Pavarur i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës ka marrë vendim që t’i jepet një afat kohor Qeverisë së Kosovës deri më 30 maj për realizimin e shtesave për janar dhe shkurt dhe më pas këshilli do të mbajë mbledhjen e radhës ku do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm sindikal.

Deklaratat e ministrit të Financave Bedri Hamza se nuk ka dëgjuar që ka pasur premtime, kanë shtyrë SBASHKU-n që të mbledhet për ta shqyrtuar këtë deklaratë.

kryetari i SBASHK-ut  Ali Shabanaj ka thënë se ministri Hamza me deklaratën e tij kishte anashkaluar përgjigjen për muajin janar dhe shkurt.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Kuvendit të Arsimit Fillor të Kosovës, ka propozuar se t’i jepet një afat të shkurtër Qeverisë së Kosovës për realizimin e premtimeve, në të kundërtën do të shkohet gradualisht në masa sindikale.

Ndër propozimet e tjera të këtyre sindikalistëve ishte edhe mos lëshimi i dëftesave për maturantët dhe semi-maturantët, në rast se mësimdhënësit nuk i marrin pagat me rritje për muajt janar dhe shkurt ashtu siç u ishte premtuar.

Ndryshe, në një vendim të datës 6 janar të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi ishte vendosur që të ngriten pagat për shërbyesit civil dhe mësimdhënësit prej 50 për qind, por në pagat e muajit mars nuk ishin të përfshira edhe ato të janarit e shkurtit.