Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 15:50

Prishtinë – Derisa në Kuvendin e Kosovës po diskutohej për buxhetin e vitit 2011, ku përfshihet edhe privatizimi i PTK-së, Sindikata e Pavarur e Postës dhe Telekomit të Kosovës, ka protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të votojnë kundër privatizimit të PTK-së. 

Me parulla në dorë, në të cilat shkruante “Deputetë, thoni jo Qeverisë për Privatizimin e PTK-së”, “Duam Referendum, duam ligj të veçantë për PTK-në”, protestuesit, të cilëve iu ishin bashkëngjitur edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan që të mos privatizohet PTK-ja. 

Kryetari i Sindikatës, Milazim Alshiqi, ka thënë se PTK-ja vetëm në vitin 2009 ka ndihmuar buxhetin e Kosovës me 335 milionë euro, andaj sipas tij privatizimi i kësaj ndërmarrjeje do të rrisë papunësinë në vend 

Për të përkrahur Sindikatën e Pavarur të PTK-së kishte dalë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili para masës ka thënë se PTK-ja është pasuri e Kosovës e jo barrë e vendit siç po quhet nga qeveritarët. 

Ai ka shtuar se deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” do të votojnë kundër privatizimit të PTK-së. 

Për të përkrahur kundërshtimin e privatizimit të PTK-së, dhe për t’u solidarizuar me protestuesit e PTK, nga Shqipëria kishin ardhur edhe përfaqësues nga Sindikata e Postë-Telekomit të Shqipërisë.