Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 18:04

Prishtinë – Këshilli Ekonomik Social nuk arriti sot të caktojë pagën minimale e cila do t’i propozohej qeverisë për miratim, pasi kishte mospajtime brenda anëtarëve. Dy sindikatat kërkonin që paga minimale të jetë afro 250 euro, përderisa punëdhënësit por edhe përfaqësues të ministrive këtë e shohin si shumë.

Muharrem Saraxholli, ka thënë: “Të gjithë pajtohen se për shkak të ngritjes së kostos së jetesës, inflacionit dhe faktorëve të tjerë duhet të bëhet ngritja e pagës aktuale minimale. Por mospajtimet kanë të bëjnë me shumën se sa kërkohet. Dy Sindikatat BSPK dhe KSLK kërkojnë që paga minimale të jetë në shumën prej 250 euro”

Kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi thotë se kjo është e shënuar edhe në ligjin e punës.

“Paga minimale në Kosovë duke e krahasuar rajonin dhe të gjitha shtrenjtimet, inflacionin dhe faktorët e tjerë duhet të jetë 250 euro. Rajoni i ka edhe më të mëdha. Por duhet shikuar edhe ligjin e punës, edhe aty shkruhet se paga minimale duhet të jetë 250 euro me mundësi diskutimi”, ka thënë Arifi.

Por, me këtë nuk pajtohen punëdhënësit, Oda Ekonomike dhe Aleanca e Bizneseve. Kryetari i Aleancës kërkon që të mos miratohet një pgaë minimale e cila do të jetëe pa-zbatueshme:

“Të gjithë po pajtohemi që në Ks duhet të rriten pagat, por në këtë duhet bazuar në fakte. Kosova dhe bizneset e saj po kalojnë në një krizë. Andaj ne nuk duhet të ngarkojmë atë cfarë nuk mund të bëhet, ka thënë ai.

Sipas Arifit, paga minimale nuk duhet të jetë më shumë se 170 euro. Edhe përfaqësuesi nga Ministria e Financave Selim Thaçi u shpreh se paga minimale prej 250 eurosh do të ishte e lartë. Para se të vendoset për këtë, anëtarët e Këshillit Ekonomik Social u pajtuan me propozimin e kryesuesit të Këshillit Nenad Rashiq, që për këtë të diskutojnë sërish në mlbedhjen e ardhshme, posa në ndërkohë të pajisen me statistika nga Enti i Statistikave në lidhje me shportën konusmuese dhe statistika tjera.

“Unë propozoj që me 20 prill informatën që e marrim ti dërgojmë secilit partner dhe nga ana tjetër presim nga ju që të kemi propozime të sakta dhe arsyetime për propozime. Për shumën, duhet të jemi pak më konkret dhe prej jush presim një shifër dhe arsyetim pse ajo shifër”, ka thënë ministri Rashiq.