Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 14:06

Prishtinë – Komisioni i Konkurrencës së shpejti do të dalë me një vlerësim zyrtar në lidhje me marrëveshjen në formë karteli të importuesve të naftës për çmime.

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës dhe moskthimi i tyre në vlera të mëhershme pas rënies së çmimeve në bursa, ka qenë fakt i mjaftueshëm që Komisioni i Konkurrencës tashmë disa muaj të fillojë hetimet për marrëveshje jo-ligjore për çmime.

Kryetari i këtij Komisioni, Osman Ejupi, ka deklaruar se në bazë të hetimeve kanë ardhë në përfundim se ka marrëveshje në formë karteli.

Mirëpo, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Nazmi Bytyqi, mohon të ketë marrëveshje për çmime.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, nëse ndërmarrja lidh marrëveshje të ndaluar me të cilën çrregullon konkurrencën, gjobitet në masën prej dhjetë për qind të totalit të të hyrave që ndërmarrja e ka realizuar në vitin e fundit për të cilin është përfunduar raporti financiar.