Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 13:03

Prishtinë – Sfidat e mëdha të Kosovës në fushën e tregtisë si dhe paqartësitë në marrëveshjen e CEFTA-s, ishin shkak që Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile – KCSF, të organizojnë të premten një punëtori njëditore.

Drejtoresha e KCSF-së, Venera Hajrullahu, ka thënë se moszbatimi i marrëveshjes së CEFTA-s ka dëmtuar në masë të madhe bizneset kosovare. Sipas saj, institucionet e vendit nuk kanë ndërmarrë hapa për të zhbllokuar situatën e krijuar pas bllokimit të mallrave të Kosovës nga Serbia e Bosnja.

Luan Shllaku nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, ka vlerësuar se marrëveshja e CEFTA-s i hap rrugën Kosovës drejt integrimeve rajonale dhe më gjerë.

Ushtruesi i detyrës së Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Khadun Sino ka thënë se opinioni duhet të informohet më shumë lidhur me rëndësinë e mekanizmit të CEFTA-s.

“Mendoj se kjo ngjarje është në kohë të duhur dhe e domosdoshme, në kohën e duhur, sepse i dini bisedimet që po zhvillohen në CEFTA që janë duke u bërë dhe i domosdoshëm, sepse nëse shikoni në media dhe si është reflektuar çështja e CEFTA-s mendoj se është nevoja për të informuar më shumë publikun lidhur me çfarë është CEFTA, si punon, cilat janë mundësitë dhe mekanizmat”, ka thënë Sino.