Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 14:11

Prishtinë – Gjatë vitit 2009, rreth 34 për qind e popullsisë në Kosovë ka jetuar në varfëri absolute, me 1 euro e gjysmë në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm një euro në ditë.

Por, krahasuar me vitet paraprake, është shënuar rënie e nivelit të varfërisë. Kosova vazhdon të jetë njëra nga vendet më të varfra në rajon dhe në Evropë, pavarësisht se ka pasur pasoja më të vogla nga kriza ekonomike sesa shumica e shteteve tjera evropiane.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, në vitin 2009, rreth 34 për qind e popullsisë në Kosovë kan jetuar nën linjën e varfërisë absolute me 1 euro e gjysmë në ditë, kurse 12 për qind nën linjën e varfërisë së skajshme me vetëm një euro në ditë.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Ranxhit Najak, tha se si rezultat i rritjes së vogël të Bruto Prodhimit Vendor gjatë vitit 2006-2007, në vitin 2009 ka pasur zvogëlim të varfërisë. Sipas tij, krijimi i legjislacionit është i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm për zvogëlimin e varfërisë.

Bashkim Bellaqa, zyrtar i Entit të Statistikës, tha se të dhënat e raportit janë bazuar në anketën e buxhetit të konsumit të ekonomive familjare, që enti e zhvillon që nga viti 2002. Sipas tij ka përmirësim të trendeve të varfërisë.

Kosova ka një popullatë të re dhe rinia është joproporcionalisht më e varfër, se pjesa tjetër e popullatës.

Sipas raportit mbi 40 për qind e të rinjve nën 20 vjeç janë të varfër, dhe 60 për qind nga të varfrit janë më të rinj se 30 vjeç, tha Kenet Simler nga Banka Botërore, i cili prezantoi raportin. Sipas tij raporti tregon shkallë të ngjashme të varfërisë në zonat urbane dhe rurale, ndërkaq faktorë që ndikojnë në zvogëlimin e kësaj dukurie, ai tha se janë arsimimi dhe hapja e vendeve të reja të punës.