Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 13:45

Tiranë – Tatimi progresiv, mbështetur mbi normën e rentabilitetit, është një masë e gabuar dhe e nxitur nga interesa afatshkurtra. Zef Preçi i shtohet zërave të ekspertëve të ekonomisë që kundërshtojnë propozimin e qeverisë për të rritur tatimin ndaj shoqërive më fitimprurëse.

“Unë mendoj se kjo është një masë e nxitur nga nevoja që ka qeveria për para, në kushtet e krizës dhe të rënies së të ardhurave. Personalisht jam kundër një mase të tillë në vetevete, sepse përfaqëson një rritje të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Në parim, nuk do isha kundër tatimit progresiv, por jo mbështetur mbi rentabilitetin si instrument ndarës,” thotë Preçi.

Qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi fitimin, që në praktikë i jep fund të filozofisë të taksimit të sheshtë. Taksa e sheshtë prej 10% ishte shndërruar prej vitesh në një nga mjetet kryesore të reklamimit të vendit te investitorët e huaj. Me këtë propozim, qeveria jo vetëm që thyen premtimet e bëra dhe vë në pikëpyetje planet e investitorëve që i kanë besuar, por rrezikon të zbehë interesin e investiorëve të tjerë të mundshëm.