Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 19:58

Tiranë – Posta Shqiptare ofron internet falas për studentët, por dhe për të gjithë qytetarët e tjerë në 510 pikat postare që ka vendi. Ministri për Inovacionin, Genc Pollo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, vizituan qendrën postare në Qytetin Studenti.

Ky projekt, i nisur në Dhjetor të vitit të kaluar u ka ofruar qytetarëve në mbarë vendin, nëpërmjet internetit, shërbime të reja në zyrat e Postës Shqiptare, duke lehtësuar ndjeshëm komunikimin mes tyre.

Qeveria në vitin 2005 shpalli “Shqipërinë dixhitale”, në një kohë kur shkalla e penetrimit të internetit në vend ishte vetëm 4.8%. Sot shkalla e penetrimit të internetit është rreth 50%.

Numri i familjeve me akses interneti është rritur në 12.5%, por po ashtu, edhe numri i bizneseve që kanë lidhje me internet. Sipas statistikave të Postës Shqiptare, në një muaj, rreth 376 mijë qytetarë kanë përdorur për nevojat e tyre kompjuterët e Postës Shqiptare, ku kanë naviguar falas në internet. (LajmeShqip.com)