Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 19:10

Tiranë – Ministri Genc Pollo iu kërkon bankave tarifa më të arsyeshme për shërbimet elektronike. Gjatë një forumi të organizuar sot në Tiranë, ai njohu progresin e jashtëzakonshëm që sistemi bankar ka bërë në ofrimin e shërbimeve bashkëkohore, si internet apo mobile banking, por kërkoi që këto shërbime të kenë çmime më të arritshme nga përdoruesit.

“Ne shpresojmë që fakti i kostos së ulët të shërbimeve on line për bankat të rezultojë në tarifa zero ose minimale për klientët e tyre”, tha Pollo. Oliver Whittle, ish-drejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank, tha se ky duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të vendosur raporte më të drjeta mes kostos dhe efiçencës së produkteve të tyre.

“Ky është një moment që rritja e biznesit të bankave ka njohur një farë frenimi, për shkak të pasojave të krizës ekonomike. Një nga shanset që kanë bankat në një moment të tillë, kur volumi i biznesit ka rënë, është rishikimi i mënyrës së të bërit biznes. Bankat duhet të rishikojnë shërbimet e tyre, kostot përkatëse dhe të gjejnë raporte më të drejta mes kostos dhe efiçencës së shërbimeve. Në këtë periudhë, shumë nga bankat po shohin strategjitë e tyre për 3 deri 5 vitet e ardhshme, ndaj besoj se është koha e duhur për të reflektuar mbi këto probleme,” tha Whittle.

Forumi për Bankat dhe Teknologjinë u organizua nga Asseco, një ndër kompanitë më të mëdha të ofrimit të softëareve për sistemin bankar. Objekt i diskutimeve ishte adoptimi i zgjidhjeve më të avancuara elektronike për të rritur efiçencën dhe sigurinë e shërbimeve bankare. Në forum ndër të tjera u fol për gjeneratën më e fundit të zgjidhjeve “Core Banking”, infrastrukturën novatore për biznesin e pagesave me karta, E-Banking dhe Mobile Banking, Sistemet kundër pastrimit të parave dhe sistemet për Menaxhimin ndaj Mashtrimeve (Fraud Management), si edhe për zgjidhjet për Sistemet e Integruara në bashkëpunim me operatorët kryesorë të TIK. Asseco SEE është pjesë e Grupit Ndërkombëtar Asseco një nga lojtarët kryesorë në tregun e prodhuesve të softwareve në Europë. Asseco SEE është po ashtu shumë aktiv në sigurimin e zgjidhjeve të avancuara për institucionet e sigurimit, administratën publike, sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit, shërbimet shëndetësore, shërbimet e agrikulturës dhe ushtarake, për organizata ndërkombëtare dhe institucione të tilla si NATO dhe BE. Grupi Assecco është renditur i teti në listën “TOP100 European Software Vendors” (publikuar nga Truffle Capital) për vitin 2010.