Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 18:00

Tiranë – Pas vitesh të tëra duke listuar arritje, Ministri i Inovacionit, Genc Pollo uli dozën e entuziazmit dhe pranoi se Shqipëria dixhitale ka edhe dështime. Gjatë Forumit të Telekomunikacioneve të zhvilluar sot në Tiranë, ministri Pollo tha se në tregun e internetit ka monopole dhe tarifat janë më të lartat në Rajon.

Këto akuza shigjetojnë Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare që deri më sot është marrë shumë pak me rregullimin e tregut të internetit. Por Pollo kishte edhe më.

Ndonëse pa përmendur emra, ai sulmoi indirekt ministrin e Transporteve Olldashi për dhënien e të drejtës së shtrimit të rrjetit kombëtar broadband për kompaninë ATU. Sipas tij, Kuvendi duhet të miratojë sa më shpejt ligjin për të Drejtën e Kalimit, që do të kufizonte hapësirat për veprime arbitrare të bizneseve, por dhe të institucioneve publike.

Ministri i Teknologjisë së Informacionit bëri zyrtarisht të ditur se kalimi nga transmetimet televizive analoge në ato dixhitale do të shtyhet në vitin 2015. Strategjia aktuale parashikonte si afat vitin 2012, por, për të përmbushur këtë objektiv ishte bërë pak ose asgjë. Ndaj, qeveria ka vendosur ta shtyjë me tre vjet të tjera kapërcimin përfundmitar në transmetimet dixhitale.