Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 11:12

Prishtinë – Konsorciumi Turko-Francez, “Limak” dhe “Aeroport de Lyon MAS”, morën sot zyrtarisht në menaxhim të plotë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Pasagjerët e kompanisë Adria Airëyas, të cilët vinin nga Mynih, (Gjermani) u përzgjodhën nga konsorciumi për te marrë dhuratat e para, bëhet e ditur në komunikatën për shtyp nga Aeroporti “Adem Jashari”.

Me këtë rast, Drejtori i kompanisë Limak për Kosovën, Mertol Genç, tha se “ne jemi shumë të lumtur që të përmbushim të gjitha obligimet tona që kemi ndaj Republikës së Kosovës dhe të kompletojmë marrjen e kompetencave. Ne do të jemi si një ekip duke punuar për një sukses dhe vazhdim të projektit”.

Drejtori i deritanishëm i ANP, Agron Mustafa, tha se ndjehet i emocionuar por njëkohësisht dhe krenar për këtë kalim të kompetencave tek partneritetit publiko-privat, i cili u përzgjodh nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar përmes një procesi të hapur dhe tenderues.

“Është projekti i parë madhor në Kosovë i partneritetit publiko-privat, i cili për më tepër do të rezultojë shumë i sukseshëm për shkak se behet fjale per një kompani te madhe dhe te fuqishme financiarisht si “Limak” dhe “Airport de Lion MAS”.

Ai shrehu besimin se “ANP-ja është në gjendje shumë të mirë financiare dhe me perspektivë të sigurt në kohën kur po ndodh transferimi i kompetencave menaxhuese në duart e një kompanie private”.

Partneriteti publiko- privat parasheh dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për 20 vitet e ardhshme, ku parashihet që ai të modernizohet dhe zgjerohet në 25 mijë metra katrorë me investimet mbi 100 milionë euro që do t’i kryejë konsorciumi “Limak – Aeroport De Lyon MAS”.

*******************

Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” kalon sot nën menaxhimin e konsorciumit turko-francez “Limak dhe aeroport De Lion”. Qeveria e Kosovës bën sot bartjen e menaxhimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tek konsorciumi Limak dhe Aeroport de Lion”.

Me dy muaj vonesë, Komiteti Ndërministror i Partneritetit Publiko Privat, ka marrë vendim për transferim të menaxhimit, pas përmbushjes së parakushteve nga ana e koncesionarëve, ndër to, sigurimi i financimit, miratimi i dizajnëve për terminalin e aeroportit etj. Ky është edhe koncesionimi i parë i një ndërmarrjeje të madhe kosovare. Sipas marrëveshjes, koncesionari i ofron Qeverisë së Kosovës, një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto gjatë 20 vjetëve të ardhshëm.
ANP-ja, ka njoftuar se ceremonia e kalimit të kompetencave do të fillojë me fluturimin përurues nga kompania ajrore “Adria Airvvays” nga Munihu në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Muaj më parë, konsorciumi turko-francez e kishte lënë në hipotekë ANP-në në bankën turke Vakifbank, e cila i ka dhënë 85 milionë euro kredi kompanisë “Limak” për menaxhimin e ANP-së.

Ndryshe, ky konsorcium e kishte fituar kontratën më 12 gusht të vitit të kaluar. Sipas kontratës, kompania duhet të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar aeroportin e Prishtinës, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, përfshirë edhe ndërtimin e  terminalit të ri.