Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 21:02

 Tiranë-Prej kohësh kompania Belle Air përflitet se është në pronësi të politikanëve të lartë shqiptarë por dyshimet tashmë janë shtuar edhe më tepër pas vendimit të Autoritetit tëAviacionit Civil i cili ka tërhequr dje (datë 10.11.2011) çertifikatën e Operimit Ajror të Operatorit “Albanian Airlines” (AL-065) si dhe ka pezulluar ARC (Certifikatën e Rinovuar të Vlefshmërisë Ajrore) të një aeroplani të kompanisë “Belle Air” me shenjë regjistrimi (ZA-ARD).

Në njoftimin për mediat thyhet se ky avion si dhe tre avionët që bënin pjesë në Certifikatën e Operimit Ajror (AOC) të operatorit “Albanian Airlines” ishin pjesë e Regjistrit Aeronautik të Republikës së Shqipërisë.

Ndërhyrja e Autoritetit të Aviacionit Civil bëhet në ushtrim të funksionit dhe detyrimeve që ka ky autoritet, në përputhje me standartet e ICAO-s, për të mbikqyrur mbarëvajtjen e avionëve që bëjnë pjesë në Regjistrin Aeronautik të Republikës së Shqipërisë.

Duke ruajtur si prioritet kryesor sigurinë ajrore dhe interesin më të mirë të pasagjerëve me të dy operatorët ajrorë të licensuar prej tij, Autoriteti i Aviacionit Civil mbetet i vendosur të ushtrojë rigorozisht detyrën dhe funksionet e tij si dhe të kërkojë po rigorozisht respektimin e kritereve dhe standardeve të ICAO-s dhe EASA-s nga të dy këta operatorë që përdorin avionë që janë pjesë e Regjistrit Aeronautik Shqiptar.

Ky vendim i është komunikuar edhe “Komitetit  të Sigurise Ajrore” pranë KE-së.

Belle Air, “kompania e preferuar” e Lulzim Bashës…

Belle Air është e vetmja kompani shqiptare e cila preferohet dhe përdoret rëndomtë nga Lulzim Basha gjatë kohës që ai mbulonte ministrinë e jashtme dhe ministrinë e brendëshme në udhëtimet e veta drejt Brukselit.

Madje gjatë udhëtimit të parë të 50 studentëve drejt Brukselit pa viza ishte pikërisht kompania Belle Air e cila vuri në dispozicion të kësaj nisme personale të ish-minsitrit të brendshëm Lulzim Basha një avion çarter.

Dhe për këtë “nder”, pas mbërritjes në Shqipëri, Basha nuk hezitoi të falenderonte kompaninë përpara studentëve duke e nënvizuar faktin se kishte qenë Belle Air që kishte mundësuar “falas” udhëtimin e tyre.

Një tjetër fakt interesant është se Belle Air u shfaq si kompani gjatë vitit 2006 kur pasi iu hoq licensa e operimit një kompanie mjaft të suksesshme low-cost “Albatros” e cila asokohe kishte një “të metë” të madhe që menaxhohej nga nipërit e ish-presidentit Alfred Moisiu dhe për shkak të përplasjeve Moisiu-Berisha, ish-drejtori i aviacionit civil Gazmend Dibra mori një vendim absurd duke i hequr liçesën “Albatros”.

Dhe Belle Air u shfaq menjëherë si një kompani alternative low-cost në Shqipëri në kohën kur ministër i transporteve ishte pikërisht ministri Lulzim Basha, kompani të cilën shumë njerëz nën zë thonë se në të vërtetë është pronë e tij!… (LajmeShqip.com)