Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 10:54

Pesë projekte infrastrukturore dhe energjetike priten të zënë pjesën më të madhe të tryezës në Samitin e Vjenës, që do të mbahet më 26 gusht mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Kryeministrat e Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë, Kosovës , Maqedonisë, Mali të Zi, dhe Bosnjë Hercegovina do të jenë edhe në një forum biznesi më 26 gusht, për të diskutuar mbi infrastrukturën, bashkëpunimin rinor dhe politikën e fqinjësisë.

“Ora News” ka siguruar një projekt propozimesh që vendet e Ballkanit pritet të bëjnë për 5 projekte infrastrukturore, në përpjekje për të marrë mbështetje financiare nga BE.

1. Korridori Veri-Jug (pjesë e Autostradës Adriatiko-Ioniane)

Një projekt që kërkon një fond prej 865 milionë euro, dhe për të cilin është ngritur një grup i përbashkët pune shqiptaro – malazez për të përcaktuar aplikimin për studimin e fizibilitetit për Korridorin Adriatiko – Jonian,

2. Korridori Perëndim-Lindje (pjesë e Korridorit VIII)

Kosto e llogaritur paraprakisht nga ARRSH për plotësimin me standard 4 korsi të këtij segmenti është rreth 400 milionë euro.

3. Linja Hekurudhore Bajzë-Tiranë

Kosto e llogaritur paraprakisht për rinovimin me standarde të kësaj hekurudhe është rreth 182 milionë euro.

4. Linja Hekurudhore Durrës-Lin-Pogradec

Ky është segmenti më i përfolur përgjatë gjithë takimeve në kuadër të procesit të Berlinit. Ka pasur një kundërshti për përfshirjen e këtij segmenti në rrjetin bazë të transportit hekurudhor, me arsyetimin se një gjatësi prej 60 km në territorin Maqedonas nuk është realist për tu plotësuar brenda 2030.

5. Linja Hekurudhore Durrës-Vlorë

Kjo linjë nuk ka qenë më herët pjesë e diskutimeve në kuadër të procesit të Berlinit.