Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 16:20

Shkodër- Prej ditës së sotme, Hidrocentrali i Ashtës nisi zyrtarisht prodhimin e energjisë elektrike dhe shpërndarjen e tij tek konsumatori.

Starti zyrtar i punës në këtë veper të madhe energjitike, ndër më të më të rëndësishmet të ndërtuara mbi kaskadën e lumit Drin, u shoqërua me një ceremoni zyrtare, organizuar në mjedist e HC Ashtës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Ministri  Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikes, Edmond Haxhinasto, autoritet më të larta të qarkut Shkodër, specialistë të fushës së energjitikës nga Shqipëria dhe Austria, etj.

Ashta, 10 kilometra larg qytetit të Shkodrës, porta e fundit e lumit Drin përpara se ai të bashkohet me Bunën e më pas për tu derdhur në Adriatik, konsiderohet ndër veprat  më të rëndësishme energjitike me parametra moderne dhe bashkëkohore. Studimi për ndërtimin e kësaj vepre, i bërë shumë vite më parë, gjeti zbatim në projektin mjaft ambicioz dhe tepër bashkëkohor nga Verbund, kompania kryesuese e energjisë elektrike në Austri dhe prirëse ndër furnizuesit më të mirë të energjisë elektrike në Evropë.

Objekti  dallon jo shumë larg nga Ura e Spatharit, përgjatë aksit rrugor Shkodër-Mjedë, apo edhe nga krahu tjetër, ai Kryebushat-Mjedë. Pas fillimi të punimeve për një periudhë 30 mujore, përfundimi i  hidrocentralit të Ashtës parashikon në të ardhmen  prodhimin e 240 milion kw/orë elektricitet, duke bërë që 100.000 ekonomi shtëpiake shqiptare të furnizohen me energji elektrike,  ndërkohë që ndërtimi veprës do të krijojë vende të reja pune dhe dhe t’i japë një frymëmarrje pozitive rrethit të Shkodrës dhe vendit në përgjithësi.

Në hapje të takimit, Drejtori Menaxhues i “Energji Ashta” VERBUND, Dietmar Reiner bëri të ditur se ,pas një periudhe të shkurtër ndërtimi, prej pak më shumë se 30 muaj, dhe vetëm katër vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së konncenskionit, ne po festojmë përurimin e Hidrocentralit të Ashtës.”
    

Ndërsa, Peter Stelzer, Drejtor Menaxhues Energji Ashta, EVN, në përshëndetjen e tij citoi se “sfidat e veçanta me të cilat përballet një projekt ndërtimi si hidrocentrali i Ashtës janë ndër të tjera, natyra e tij ndërkombëtare dhe shumëgjuhëshe, ndarja e detyrave nëpër disa vende të ndryshme dhe përpjektjet e mëdha të koordinimit logjistik.” Falë angazhimit professional të  Energji Ashtës, EVN dhe VERBUND dhe atë të gjithë kontraktuesve, këto kërkesa ishin në gjendje që të realizoheshin në një mënyrë shumë të përgjegjshme, tha Stelzer.
    

Duke iu referuar fenomenit të përmbytjeve që shoqëroi dy dimrat  e kaluar zonën e Shkodrës, Peter Stelzer, shtoi se “përmbytjet që goditen Shkodrën në fillim të ndërtimit në vitin 2010, të cilat e zhyten të gjithë zonën dhe ndikuan negativisht në ecurinë e ndërtimit, shërbyen si test serioz për kompaninë tonë.  Pas kësaj, ne bëmë çdo gjë për të reduktuar në minimum efektet mbi pronat dhe mbi palën liçensuese, dhe nëse shohim pas jemi mëse të kënaqur me procedurën dhe rezultatet që kemi arritur.”

Ndërsa në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha e cilësoi Hidrocentralin e Ashtës si një kryevepër të vërtetë të energjetikës në Shqipëri, në Europë e më gjerë dhe për vendin ditën e sotme si një ditë të veçantë, pasi HEC-i Ashta , tha ai “është hidrocentrali më i madh që ekziston sot me teknologjinë e turbinave matrix”.

Ndërsa  Kryeparlamentarja austriake, Prammer, duke shprehur kënaqësinë që ndodhej në përurimin e kësaj vepre madhore për Shqipërinë, dhe duke vlerësuar lidhjet e forta e të vjetra që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe vendit të saj, tha se në këtë projekt është marrë parasysh mbrojtja e mjedisit, pasi mjedisi është një e ardhme dhe ne duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme në mënyrë që ta ruajmë atë”.

Impianti është i ndarë në dy pjesë: “Ashta I” do të prodhojë rishtazi energji elektrike me anë të tubinave Hydro Matrix, aty ku përpara tre dekadash është ndërtuar rezervuari i Spatharës me digën kundër përmbytjeve dhe sistemet e vogla vaditëse për bujqësinë. Pas një kanali rreth pesë kilometër të gjatë, që shtrihet deri në thellësi në afërsi të fshatit Ashtë, Ashta II do të prodhojë energji elektrike për herë të dytë. Edhe këtu do të përdoren 45 turbina Hydro Matrix. Për të dy hidrocentralet e Ashtës këto pajisje do të furnizohen nga Andritz-Hydro AG, të cilat janë gjithashtu prodhim austriak.

Kapaciteti total i të dy centraleve elektrike (Ashta 1 dhe Ashta 2) është rreth 53 megavat (MË) dhe çdo vit do të prodhohen rreth 240 milion kilovat-orë energji elektrike. Kjo është rreth një e katërta e sasisë që mund të prodhojë hidrocentrali Freudenau në lumin Danub në Vjenë. Punimet e ndërtimit kanë filluar në mars 2010: vlera e investimit shkon në rreth 200 milion Euro.

Për këtë projekt është përdorur i gjithë spektri i njohurive dhe i ekspertizës në sferën e energjisë hidrike. Gjithashtu, projekti është realizuar sipas standardeve më të larta botërore dhe përbën gjithashtu ndihmën e parë të ndërtuar në Shqipëri për kalimin e peshqve. Nëpërmjet tij, për herë të parë që prej viteve ’70 të shekullit të kaluar, peshqit do të mund të notojnë të papenguar që nga rezervuari i Spatharës deri në detin Adriatik.

Projekti i hidrocentralit të Ashtës është ndërtuar sipas rregullave të Mekanizmit për Zhvillim të Pastër (MZHP) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK). Ai nuk do të shkarkojë asnjë emetim të CO2 dhe duke qenë hidrocentral ai do të kontribuojë në kursimin e rreth 114 000 tonëve CO2 çdo vit. MZHP parashikon një dialog gjithëpërfshirës me grupet e interesit, dialog i cili këtu në Shqipëri është zhvilluar deri më tani në mënyrë unike. Përveç një menaxhimi profesionist të grupeve të interesit në nivel kombëtar, edhe palët e interesuara dhe ato lokale, si përfaqësuesit politikë të komunës, fqinjët dhe banorët, janë informuar gjerësisht nëpërmjet takimeve të rregullta të konsultimit publik.

E gjithë energjia elektrike e prodhuar në Ashtë do të blihet për 15 vjet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), furnizuesi publik shqiptar i energjisë elektrike. Pas kësaj periudhe, kontrata e blerjes së energjisë mund të zgjatet ose energjia elektrike mund të shitet në tregun e energjisë. Pas përurimit zyrtar të hidrocentralit, u vu në punë turbina e tij dhe u mbollë pemë dekorative në mjediset e jashtme të vepres energjitike.(LajmeShqip.com)