Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 11:12

Vlorë – . 
Investimi i realizuar pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, pritet t’i japë nxitje të mëtejshme zhvillimit të sektorit të ullishtarisë në gjithë vendin, pasi serat, ndërtimi i të cilave nisi në fund të vitit të kaluar, ka përfunduar pak ditë më parë. 
Drejtori i Qendrës, prof.dr. Dhimitër Panajoti, tha për ATSH-në se, “në këto sera me sipërfaqe prej rreth 5 hektarësh do të prodhohen 300 mijë deri në 500 mijë fidanë ulliri në vit, me të cilat do të furnizohen subjektet dhe fermerët që do të kultivojnë ullirin në Vlorë dhe rrethe të tjera të vendit”. 
Panajoti sqaron se, ndërtimi i tyre është pjesë e strategjisë kombëtare për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj në vendin tonë, ku Qendra e Transferimit të Teknologjive zë një vend të rëndësishëm. 
Kjo qendër, një nga 5 institucionet kërkimore shkencore në fushën e bujqësisë në vendin tonë, është shndërruar në një bazë të rëndësishme në shërbim të ullishtarisë, pemtarisë e vreshtarisë në shkallë qarku e më gjerë. Në të funksionojnë laboratorë dhe infastruktura e nevojshme për të realizuar kërkime shkencore në standarde të kohës në fushën e aplikimit të metodave të reja në kultivimin e ullirit.
“Kultivimi i fidanëve është një nga drejtimet bazë të zbatimit të strategjisë kombëtare të iniciuar nga Qeveria Shqiptare për shtimin e sipërfaqeve me ullinj, që parashikon shumëfishimin e tyre deri në 20 milionë rrënjë brenda një afati prej 10 vjetësh”, thotë Panajoti.
Vetëm në Qarkun e Vlorës, janë evidentuar rreth 12 mijë hektarë sipërfaqe toke e lirë, të cilat do të futen në efiçensë për të plotësuar këtë objektiv.
Për vitin në vazhdim, është parashikuar të zbatohet një program për nxitjen e fermerëve përmes subvecionimit të mbjelljes me ullinj, të sipërfaqeve të reja. Gjatë 3 viteve të fundit, në rrethin e Vlorës janë mbjellë rreth 350 hektarë me ullinj, të cilat janë subvecionuar nga buxheti i shtetit me rreth 120 milionë lekë.
Në rrethin e Vlorës numërohen rreth 1.3 milionë rrënjë ullinj, që përfaqësojnë 30 përqind të tyre në shkallë vendi, duke realizuar të njëjtën përqindje në prodhimin kokërr. Sot prodhohen çdo vit mesatarisht 11700 tonë ullinj dhe 1450 tonë vaj, ndërkohë që vlerat respektive për vitin 1990 ishin 7000 dhe 1030 tonë.