Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 11:23

Tiranë (PLOTËSUAR, 26 Nëntor, 10:30) – Kuvendi miratoi në parim në orët e para të ditës së sotme, me 74 vota pro dhe 56 vota kundër, p/buxhetin e shtetit për vitin 2012. Maxhoranca dhe opozita debatuan mbi 14 orë në parim mbi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012.

Deputetët e maxhorancës e mbrojtën këtë projekt si buxheti që do të mbështesë stabilitetin makroekonomik, por edhe si projektin që do të zbusë efektet e krizës financiare globale, përmes mbështetjes së sektorëve sociale, investimeve publike dhe rritjes së pagave dhe pensioneve.

Por, deputetët e opozitës duke deklaruar votën e tyre kundër këtij projekti, theksuan se p/buxheti 2012-të nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike globale, në kushtet kur e gjithë bota është mobilizuar me masa shtesë.

Gjatë prezantimit në Kuvend, Berisha tha se “modeli ynë ekonomik bëri të mundur që ekonomia shqiptare, ndryshe nga ekonomitë e tjera që njohën rënie e recesion, të ruajë rritjen e përvishtme ekonomike dhe të mbajë të paprekura parametrat e stabilitetit makroekonomik” .

“Ne vendosim për buxhetin e të gjithë shqiptarëve, për kontot dhe portofolet e tyre, për vendet e punës, shërbimet ndaj tyre, vendosim për shkollat e fëmijëve të tyre, për shërbimin e mjekëve, vendosim për atë se si do t’i shpenzojnë fondet për të arritur në destinacionin e tyre të përditshëm e të përjavshëm. Pra, se çfarë do të bëhet me mundin e djersën e tyre gjatë vitit 2011; cila është perspektiva e punësimit të tyre, në fund të fundit vendosim për begatinë e mirëqënien e familjeve shqiptare”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

“Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 bazohet në disa shtylla dhe në një analizë realiste të ecurisë së zhvillimeve gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, bazohet në tendencën e fundit dhe pritshmërinë për vitin 2012 që vendet e eurozonës programojnë”, deklaroi Bode.

Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % .

Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 %, ose 397 miliardë lekë

Objektivat do vazhdojnë të jenë rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetja me rreth 5 % e PBB-së e investimeve publike, duke ruajtur nielin më të lartë të investimeve publike në hapësirën e vendeve të Europës.

*************************

Tiranë (PLOTËSUAR, 18:30) – Ka nisur prej orës 10:30 në Kuvend seanca plenare ku po diskutohet në parim projektbuxheti i shtetit për vitin 2012-të.

Përgjatë dy javëve të gjitha komisionet e përhershme të Kuvendit diskutuan në parim p/buxhetin e shtetit, diskutim që sot u zhvendos në sallën e Parlamentit.

Opozita po kritikon ashpër draftin e qeverisë. Sipas socialistëve, pr/buxheti 2012-të nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike, ndaj së cilës bota është në ankth. Opozita deklaron se do të votonte një buxhet që ka shifra reale, por qeveria gënjen për cdo deklarim të tyre dhe anashkalon thirrjet e ndërkombëtareve.

Problem, sipas socialistëve mbetet dhe borxhi publik. Në fjalën e tij para ligjvënësve, Kryeministri Berisha mbrojti draftin dhe sulmoi opozitën si të sëmurë me sindroma, që ai si kryeministër nuk i shëron dot. Berisha theksoi se drafti i paraqitur sot është më i miri, mbron qytetarin dhe nuk prek rritjen e pagave e pensioneve apo sistemin fiskal.

*************************

Tiranë – Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho, prezantoi para deputetëve projektbuxhetin e shtetit për vitin 2012, në seancën plenare të Kuvendit, mbledhur posaçërisht për diskutimin në parim të këtij drafti.

Spaho u shpreh se pavarësisht krizës ekonomike botërore ekonomia shqiptare vazhdoi ritmet e rritjes pozitive, duke siguruar stabilitetin makroekonomik të vendit, por edhe duke nxitur konsumin e brendshëm përmes politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Reformat e ndërmara gjatë 6 viteve të fundit forcuan ekonominë e tregut.

Ulja konstante e normës së papunësisë, reforma strukturore e ato rregullatore, shkurtimi i shpenzimeve administrative, si dhe rritja e nivelit të investimeve, bënë të mundur bërjen ballë të efekteve të krizës”, theksoi ai. Sistemi bankar, tha më tej Spaho, është i sigurtë, ndërsa likuiditeti, pas një ngërçi në vitin 2009, gjatë vitit 2010 është rritur.

Sipas Spahos, objektivat e p/buxhetit të shtetit për vitin 2012 janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik, inflacioni në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

“Do vazhdojmë me politikën tonë për rritjen e pagave dhe pensioneve, mbështetjen me rreth 5.2 % të PBB-së për investime publike, duke ruajtur nivelin më të lartë të investimeve publike në hapësirën e vendeve të Europës”, vijoi Spaho.

Totali i të ardhurave parashikohet me një rritje prej 8 %, ose 356 miliardë lekë, me një rendiment fiskal prej 25.5 % të PBB-së. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen 251 miliard lekë. Të ardhurat nga fondet speciale do të kenë një ritëm rritje me 5.6 % . Shpenzimet e buxhetit të shtetit parashikohet të jenë në parametrat që të mundësojnë një defiçit jo më shumë se 3 % ose rreth 397 miliardë lekë, që llogariten 28.5 % e PBB-së.

Spaho bëri të ditur se opozita ka kundërshtuar p/buxhetin e shtetit, duke argumentuar votën kundër me faktin se borxhi publik përbën një rrezik për ekonominë, duke kaluar nivelin prej 60 %, si dhe nuk mbështet sektorët socialë, ndërsa vendi do të vijojë të ndjejë efektet e krizës ekonomike globale. (LajmeShqip.com)